Shehi për derbin me Dinamon: Janë ekip tjetër, është kampionat i çuditshëm

Tirana dhe Dinamo do të takohen për të disatën herë të Hënën. Në Superiore, bardheblutë fituan ndaj ekipit të Shkëmbit por këta eliminuan skuadrën e Orges Shehit nga Kupa. Gjithsesi trajneri Shehi e di që do të jetë një derbi i vështirë ndaj dhe kërkon maksimumin.
“Kemi përballë një kundërshtar me lojtarë cilësorë. Ata janë përforcuar, kanë cilësi dhe eksperiencë. Është një ndeshje që kërkon përqendrim maksimal. Dinamo është formuar për objektiva madhorë, është përforcuar me lojtarë cilësorë dhe me eksperiencë, çka e bën skuadër më të fortë. Ndeshja me Vllazninë? Vinim pas pauzës dhe skuadra nuk vinte në formën më të mirë. Pas çdo ndeshje analizohen gjërat tekniko-taktike në fushë. Kjo ndeshje na vë përpara faktit se duhet të përforcohemi dhe ndryshojmë në fushë. Ndoshta na duhet të ndryshojmë modul”.
Në “Air Albania”, duket se Shehi do të hedhë menjëherë titullar blerjen e re në sulm teksa pranoi se ky kampionat është i çuditshëm dhe skuadrat mund të lënë pike në çdo moment.
“Kemi besim se kemi bërë goditje të mirë në merkato me Da Silva. Do shohim nesër, federimi mbaroi dhe nesër mund të jetë nga minuta e parë. Ndaj Vllaznisë nuk ishim vetvetja, nuk është se dështoi vetëm sulmi. Duhet të ndryshojmë diçka në manovër.
Kampionati na rezervon përballje dhe rezultate të çuditshme. Është një kampionat ku mund të fitosh ndaj kujtdo dhe mund të lësh pikë me çdo ekip. Vllaznia është e kaluara. Merkato? Duam ta përmirësojmë performancën, por rezultatet nuk kanë qenë negative. Kemi marrë shtatë pikë në tre ndeshjet e fundit. Fitore me kampionët në fuqi dhe Partiznain, teksa morëm pikë me Vllazninë. Kemi kontigjentin e plotë dhe zgjedhjet janë më të përshtatshme për ne si staf”, deklaroi në fjalën e tij trajneri Shehi./Ora News/.