SEVILLA NË QIELLIN E 7/ Roma dorëzohet në finale, andaluzianët ndëshkojnë Jose Mourinho-n (VIDEO)

Në fund të një ndeshjeje të pafundme Sevilla mund Romën nga “lotaria” e 11-metërshave duke përfituar nga gabimet finale të Ibanez dhe Mancinit.
Skuadra spanjolle realizon një tjetër mrekulli, të shtatën në shtatë finale të Europa League duke i shkaktuar Romës një disfatë shumë të hidhur me rezultatin e përgjithshëm 5-2 pas një ndeshjeje pozitive të skuadrës së drejtuar nga Jose Mourinho.
Ndeshje e tensionuar që zgjati më shumë se 135 minuta por në fund asnjë prej skuadrave nuk e zgjidhi pa ndihmën e 11-metërshave. Roma bëri një start shumë të mirë duke surprizuar jo pak dhe ngjatë 45 minutave të para skuadra e Mourinhos dominoi në lojë e raste duke shkuar në dhomat e zhveshjes me golin e argjentinasit Paulo Dybala.

Emocione dhe festë në Budapest por nuk kishte ardhur ende koha për fishekzjarre sepse me rikthimin e skuadrave në fushën e lojës, Sevilla u zgjua duke u bërë më këmbëngulëse dhe për pasojë të këtij presioni në portën e italianëve, gjeti rrugën e rrjetës me një top të devijuar në portën e tij nga Gianluca Mancini.
Deri në fundin e kohës së rregullt andaluzianët shtynë me sa kishin fuqi por rastin e artë e pati në këmbët e tij Belotti pas një pasimi fantastik të Pellegrinit. Shumë nervozizëm dhe dëmtime gjatë 30 minutave shtesë ndërsa skuadrat lejuan që ndeshja të shkonte në lotarinë e 11-metërshave.
Shënuan 4 nga 4 andaluzianët të cilët përsëritën penalltinë e fundit të Montiel për shkak të daljes së Rui Patricios nga porta, ndërsa në kampin roman peshoi shumë presioni dhe emocionet e kjo u reflektua në finalizimet e gabuara të qëndërmbrojtësve Mancini dhe Ibanez.
Humbet më shumë se një kupë Roma pasi me shumë mundësi Jose Mourinho do të largohet ndërsa sezonin e ardhshëm skuadra verdhekuqe do të luajë sërish në Europa League dhe jo në Champions. Në evenimentin e kampionëve do të luajë Sevilla edhe pse nga kampionati nuk e ka arritur një gjë të tillë.
Rekord absolut për ekipin bardhekuq që e ka fituar këtë kupë më shumë se askush tjetër, plot 7 herë në sezonet 2005–06, 2006–07, 2013–14, 2014–15, 2015–16, 2019–20, 2022–23.

