Një dekadë e gjysmë me fanellën e Barcelonës. Kapiteni largohet me mesazhin prekës

Një dekadë e gjysmë me fanellën e Barcelonës. Kapiteni
Pas Gerard Pique, Barcelona humbet një kapiten tjetër brenda një viti. Sergi Busquets paralajmëron lamtumirën në ndeshjen e fundit të sezonit dhe këtë e bën me një mesazh të qartë drejtuar tifozëve për të cilët ka luajtur gjatë 15 viteve të fundit. Fillimisht ai deklaron se do të luajë këtë muaj ndeshjet e fundit me fanellën Blaugrana por karriera e tij në futboll do të vazhdojë në një destiancion që ai nuk e bën të ditur.

“Gjithmonë kam ëndërruar të luaj me këtë fanellë dhe në këtë stadium e në realitet kam tejkaluar gjithçka që mund të ëndërroja. Kush do ta kishte menduar që kur erdha në fillim, do të luaja 15 sezone me më shumë se 700 ndeshje? Ka qenë një nder, një ëndërr, një krenari. Megjithëse nuk ishte një vendim i lehtë, mendoj se ka ardhur koha të largohem dhe dua të falenderoj të gjithë njerëzit që kanë bërë të mundur përjetimin e gjithë kësaj aventure, nga dita e parë deri në të fundit”.

Emocionues kapiteni dhe mesfushori i Barcelonës që me shumë mundësi do të largohet nga Katalonja si kampion i La Ligas.

Ai e filloi karrierën e tij si futbollist në akademinë e Barcelonës në vitin 2005. Në fillim ai luajti në skuadrën e dytë të Barcelonës, por në vitin 2008 u grumbullua në ekipin e parë. Që nga ajo kohë, ai është bërë një pjesë e rëndësishme e skuadrës së Barcelonës dhe një ndër lojtarët më të dashur nga tifozët. Busquets ka fituar 4 tituj të Ligës së Kampionëve dhe 8 La Liga.

EMISIONET