Nga 40 vende të botës drejt Pogradecit/ “Enkelana Marathon” e kthen qytetin në shtëpinë e atletëve
Mbi 550 atletë amatorë dhe profesionistë nga 40 vende të botës morën pjesë në edicionin e pestë të “Enkelana Marathon”, aktivitetit më të madh të atletikës që zhvillohet në qytetin e Pogradecit.
Gjysmëmaratona u zhvillua në dy disiplina, 21 kilometra dhe 11 kilometra, duke bërë bashkë pjesëmarrës të grupmoshave nga 15 deri në mbi 60 vjeç.
Gara dëshmoi edhe një herë se sporti dhe jeta e shëndetshme nuk njohin moshë. Edhe këtë vit, një paraqitje të mirë patën atletët nga Kosova.
Në garën e 21 kilometrave, fitues për kategorinë e meshkujve u shpall atleti profesionist Timon Mamusha, ndërsa në kategorinë e femrave triumfoi Gresa Bakraqi.
Të dy fituesit u shprehën të kënaqur me organizimin, duke vlerësuar se maratona po rritet nga viti në vit dhe po fiton gjithnjë e më shumë prestigj ndërkombëtar.
Në garën e 11 kilometrave, vendin e parë për meshkuj e fitoi Albert Abazi nga Kërçova, ndërsa për kategorinë e femrave triumfoi Kristina Pura nga Prrenjasi, e cila arriti të mbrojë titullin për të dytin vit radhazi.
Pjesë e kësaj maratone ndërkombëtare ishin sportdashës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rusia, Japonia, Greqia, Suedia dhe shumë vende të tjera. Përveç pasionit për vrapimin, ata u shprehën të mahnitur nga bukuritë e liqenit të Pogradecit dhe mikpritja e banorëve.
“Kam qenë këtu disa herë për aktivitete të ndryshme dhe çdo herë kam kaluar shumë bukur. Atmosfera është gjithmonë e këndshme dhe argëtuese. Gjithçka është shumë mirë e organizuar dhe mua më pëlqen jashtëzakonisht ky vend. Është vërtet fantastik!”-tha atleti Shichkova.
“Kemi ardhur me një grup nga Janina për të vrapuar këtu, në Pogradecin e bukur. Personalisht vij për herë të tretë. Mjaftoi të vija vetëm një herë dhe u dashurova me këtë vend. Më pëlqen jashtëzakonisht shumë.
Edhe pse jam 60 vjeç, për aq kohë sa Zoti do të më japë mundësi, do të vazhdoj të vij këtu për të vrapuar në këtë itinerar të mrekullueshëm dhe për të takuar miq. Na presin me shumë ngrohtësi, ne i presim po ashtu kur vijnë tek ne dhe e konsiderojmë pothuajse si një detyrim moral të vijmë këtu për të takuar miqtë tanë.” -u shpreh atleti nga Greqia.
“Enkelana Marathon” është vlerësuar nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit me çmimin e parë si një nga eventet sportive më të mira në Shqipëri.
Organizatorët kanë marrë gjithashtu garancinë se kjo maratonë do të vazhdojë të zhvillohet në Pogradec edhe për pesë vitet e ardhshme, duke e kthyer qytetin në një destinacion të rëndësishëm të turizmit sportiv.


