Modric nuk plaket, kroati i përjetshëm në prag të një kapitulli të ri

Luka Modric është shumë më tepër se një futbollist për Real Madridin.
Ai është një histori e gjallë, një figurë që çdo ditë e më shumë afrohet me fundin e një epoke të lavdishme me fanellën e bardhë.
Në moshën 39-vjeçare, kroati po luan sezonin e tij të 13-të me “Los Blancos” dhe sapo ka përfunduar ndeshjen e tij të 59-të për sezonin aktual, një statistikë mbresëlënëse për çdo lojtar, por te Modric duket sikur është thjesht normalitet.
Në një ekip të goditur rëndë nga dëmtimet gjatë sezonit 2024-25, me plot 38 raste të raportuara mjekësore, Modric ka qëndruar si një monument i palëkundur, pa asnjë problem fizik.
Në ‘Bank of America Stadium’ të Charlotte-s, aty ku Real Madridi fitoi ndeshjen e parë të erës ‘Xabi Alonso’, Luka ishte sërish aty, duke udhëhequr me mençurinë dhe elegancën që e karakterizon.
Ndonëse numri i ndeshjeve si titullar është zvogëluar (27 këtë sezon), ndikimi i tij në fushë nuk ka rënë.
Xabi Alonso po i beson atij në momentet kyçe të ndeshjeve për të sjellë qetësi, kontroll dhe përvojë.
Te një Real Madrid që po përgatitet për të ardhmen, Luka mbetet busulla që orienton çdo aksion.
Edhe kur nuk i luan të gjitha minutat, loja kërkon instinktivisht kalimin përmes këmbëve të tij. Është Luka, i paarritshmi.
Trashëgimia që nuk zëvendësohet lehtë
Ai e di se fundi është afër. Vetë Modric e ndien se po jeton ditët e fundit të një rruge të gjatë në “Bernabéu”, por pa ndalur së ndikuari në lojë.
Nuk ka më nevojë të dëshmojë asgjë, sepse trashëgimia e tij është e vulosur. Por ajo që nuk është aq e qartë është se kush do ta zëvendësojë.
Modric ka lënë gjurmë te çdo mesfushor i ri që është rritur pranë tij: te Bellingham, te Valverde, te Camavinga... Të gjithë mbartin nga një pjesë e futbollit të tij.
Milani dhe më tej... Botërori 2026
Pas përfundimit të Kupës së Botës për Klube, Luka Modric pritet të transferohet në Milano, aty ku do të përjetojë kapitullin e fundit të karrierës së tij në klub, përpara se të synojë një përmbyllje madhështore në Botërorin 2026 me Kroacinë.
Në një futboll që ndryshon përditë, Modric mbetet simbol i qëndrueshmërisë, elegancës dhe klasit të vërtetë.
Ai mund të mos jetë më çdo javë në qendër të vëmendjes, por kur topi është në këmbët e tij, koha ndalet. Dhe kjo është ajo që e bën Luka Modric… të pavdekshëm.

