Vora me stil brazilian në sulm/ Luis Felipe, goditja e re e debutuesve në Superiore

Pas triumfit në Kategorinë e Parë dhe sigurisë për një vend në elitën e futbollit shqiptar, Vora ka nisur të ndërtojë një skuadër konkurruese për Superioren.
Për të rritur cilësinë në repartin ofensiv, klubi ka prezantuar zyrtarisht përforcimin e radhës: sulmuesin brazilian Luis Felipe.
Ky është një hap i rëndësishëm për vetë lojtarin 24-vjeçar, që për herë të parë në karrierën e tij largohet nga Brazili për të provuar një aventurë të re në Evropë.
Deri tani ai është aktivizuar me disa klube në vendlindje, si Itabirito, Volta Redonda dhe SC Aymorés.
Në njoftimin zyrtar të klubit thuhet:
“Zyrtare! Luis Felipe është futbollisti më i ri i Vorës. Futboll Klub Vora njofton me kënaqësi firmosjen e kontratës me sulmuesin 24-vjeçar, i cili vjen nga kampionati brazilian për të qenë pjesë e skuadrës sonë në Superiore.”
Për Vorën, ky transferim është një sinjal i qartë se objektivat për sezonin e ardhshëm nuk janë vetëm mbijetesa. Me prurje si Felipe, drejtuesit e klubit synojnë të ndërtojnë një ekip që mund të surprizojë në elitën e futbollit shqiptar.

