Milani për titull? Sacchi e beson: Distanca nga Interi nuk është sensacionale, por i duhet kjo gjë
Kuqezinjtë fituan ndaj Frosinones të shtunën në mbrëmje, por tani duhet vazhdimësi për të dalë nga kriza dhe për t’u larguar nga periudha negative e dy muajve të fundit.
Angazhimi i dyfishtë që pret skuadrën e Piolit është një mundësi joshëse për ta dëshmuar kthesën e madhe.
Fillimisht në Bergamo kundër Atalantës dhe më pas në Angli kundër Newcastle, ku Giroud dhe shokët e tij do të përpiqen t’i japin vetes një të ardhme evropiane.
Ndërkohë, Arrigo Sacchi, ish-trajneri i “Djallit”, tha fjalën e tij në “Gazzetta dello Sport” mbi mundësinë që kuqezinjtë të “kërcënojnë “Interin për titullin:
“Milani është 6 pikë prapa, jo ndonjë distancë sensacionale. Megjithatë, duhet të gjejë ekuilibrin në fushë, duhet të bëhet ekip. Besoj që, nëse arrijnë ta bëjnë këtë hap në cilësi, atëherë do të mund ta thonë fjalën e tyre denjësisht edhe për titullin”.
Arrigo Sacchi analizoi momentin e Interit pas fitores së pastër në “Maradona”, ndaj Napoli.
“Napoli-Inter, përtej rezultatit, ishte një ndeshje që pajtoi publikun me futbollin. Urime për të gjithë lojtarët, ata që fituan dhe ata që humbën. Nuk e kam të vështirë ta them këtë, nëse luan si kundër Napolit, skuadra e Inzaghit është favorite për titullin.
Megjithatë, nëse i interpretojnë ndeshjet si në Torino kundër Juves, atëherë gjithçka mund të vihet në pikëpyetje. Juve-Inter, për sa i përket argëtimit, ishte një sfidë që vrau futbollin. Megjithatë, ndeshja Napoli-Inter ndezi entuziazmin”.
Më pas në një tjetër pasazh, Sacchi shtoi: “Napoli është kthyer. Ata janë 11 pikë prapa Interit, është e vërtetë, por pashë një ekip të gjallë, të gatshëm dhe kompakt”.