Në 2010 Messi mori Topin e Artë, Sneijder flet "pa dorashka": Ishte e padrejtë
Ish-mesfushori i Interit dhe i kombëtares hollandeze Wesley Sneijder është rikthyer të flas për të shkuarën e tij si futbollist.
Në vitin 2010 ai pati një sezon të shkëlqyer me Interin, pasi fitoi tripletën. Gjithashtu me kombëtaren hollandeze arriti deri në finalen e Kupës së Botës ku mund nga Spanja me golin e Iniestas në minutat shtesë.
Sneijder ishte në atë vit edhe një nga kandidatët kryesor për fitimin e “Topit të Artë”, që më pas ky çmim u mor nga argjentinasi Lionel Messi.
Hollandezi edhe pas kaq vitesh nuk e fsheh zhgënjimin duke e cilësuar si të padrejtë fitimin e këtij trofeu nga Messi.
“Ishte pak e padrejtë që nuk fitova Topin e Artë në 2010 dhe e fitoi Messi. Por unë nuk jam nga ata që qajnë. Topi i Artë është një trofe individual dhe unë preferoj të fitoj trofe kolektiv. Nëse do më duhet të zgjidhja mes Champions League dhe Topit të Artë, do të zgjidhja Champions League, jam shumë i lumtur me këtë titull.
Ne e meritonim të fitonim në 2010 kundër Spanjës, por ata ishin të jashtëzakonshëm dhe na mundën. Të arrish finalen ishte një arritje e mrekullueshme që e kisha ëndërruar dhe akoma e kam zemrën të thyer që e humbëm”, u shpreh Sneijder.