Messi emocionon Argjentinën para finales: Çfarëdo që të ndodhë, këtë histori askush nuk do ta fshijë

Messi emocionon Argjentinën para finales: Çfarëdo që

Lionel Messi pritet të zbresë këtë të diel në fushë për finalen e Kupës së Botës ndaj Spanjës, në atë që konsiderohet ndeshja e tij e fundit me fanellën e Argjentinës në një Botëror. Pak orë para sfidës, kapiteni argjentinas ka ndarë një mesazh emocional për shokët e skuadrës dhe tifozët.

Në letrën e publikuar, Messi ka vlerësuar rrugëtimin e kombëtares, duke lënë në plan të dytë trofetë dhe duke vënë theksin te përvoja e ndarë me grupin.

“Pjesa më e bukur e gjithë këtyre viteve nuk kanë qenë vetëm trofetë, por i gjithë rrugëtimi. Të ndaja çdo ditë me këtë grup, të konkurronim së bashku, të ngriheshim në momentet e vështira dhe të shijonim çdo hap të këtij rrugëtimi”, shkroi ai.

Messi falënderoi bashkëlojtarët, stafin teknik dhe të gjithë ata që punojnë pranë kombëtares, duke e cilësuar Argjentinën një familje.

“Faleminderit secilit prej shokëve të mi të skuadrës, stafit teknik dhe të gjithë njerëzve që punojnë çdo ditë që kjo kombëtare të vazhdojë të jetë një familje.”

Në fund të mesazhit, kapiteni argjentinas u shpreh se, pavarësisht rezultatit të finales, kjo skuadër ka lënë gjurmë në historinë e futbollit.

“Çfarëdo që të ndodhë sot, ky grup tashmë ka shkruar një histori që nuk do ta harrojmë kurrë dhe që askush nuk do të mund ta fshijë. Forca Argjentina.”

Messi do të kërkojë ndaj Spanjës të fitojë Kupën e dytë të Botës në karrierë dhe ta mbyllë rrugëtimin e tij në Botëror me një tjetër trofe historik.

EMISIONET