Mesi kërkon kurorën e dytë të Botës/ Spanja synon rikthimin pas 16 vitesh, finalja që ndal frymën në “Nju Jork Nju Xhersi Stadium”

Mesi kërkon kurorën e dytë të Botës/ Spanja synon

Sytë e gjithë botës janë drejtuar sonte nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku Argjentina dhe Spanja përballen në finalen e madhe të Kupës së Botës 2026. Në “Nju Jork Nju Xhersi Stadium”, dy prej skuadrave më të forta të turneut do të kërkojnë trofeun më të rëndësishëm të futbollit.

Kampionia në fuqi, Argjentina, vjen në këtë përballje me synimin për të mbrojtur titullin, ndërsa Spanja kërkon të rikthehet në majën e botës pas triumfit të vitit 2010.

Spanja rikthehet në finalen e Botërorit pas 16 vitesh
“La Roja” ka ndërtuar një rrugëtim të fortë gjatë këtij Botërori. Skuadra e Luis de la Fuente ka bindur me lojën e bazuar te kontrolli i topit, qarkullimi i shpejtë dhe organizimi në të dyja fazat e lojës.

Spanja e mbylli fazën e grupeve në vendin e parë, edhe pse pati një barazim pa gola ndaj Kepit të Gjelbër. Më pas fitoi 4-0 ndaj Arabisë Saudite dhe 1-0 kundër Uruguait.

Në fazën me eliminim direkt, spanjollët kaluan Austrinë me rezultatin 3-0, ndërsa më pas siguruan kualifikimin ndaj Portugalisë dhe Belgjikës me fitore minimale, falë golave vendimtarë të Mikel Merinos.

Gjysmëfinalja ndaj Francës ishte momenti më bindës i Spanjës, me skuadrën iberike që kontrolloi lojën dhe siguroi një vend në finalen e parë të Botërorit që nga viti 2010.

Argjentina kërkon një tjetër trofe me Messin në qendër
Rrugëtimi i Argjentinës ka qenë më i vështirë, por kampionët e botës kanë treguar karakter në momentet vendimtare.

Skuadra e Lionel Scalonit fitoi të gjitha ndeshjet e grupit, me Lionel Messin në një formë të jashtëzakonshme. Kapiteni argjentinas ka shënuar tetë gola në këtë Botëror dhe ka arritur kuotën e 21 golave në historinë e Kupës së Botës.

“Albiceleste” kaloi fazën e grupeve me fitore ndaj Algjerisë, Austrisë dhe Jordanisë. Në fazën me eliminim direkt, sfidat u bënë më të vështira.

Argjentina eliminoi Kepin e Gjelbër pas kohës shtesë, më pas përmbysi Egjiptin në një ndeshje dramatike dhe kaloi Zvicrën në çerekfinale.

Në gjysmëfinale ndaj Anglisë, kampionët u vunë në vështirësi pas golit të Anthony Gordon, por reaguan me Enzo Fernandez dhe Lautaro Martinez, duke siguruar fitoren 2-1 dhe finalen e dytë radhazi në Botëror.

Një përballje historike me vetëm një precedent
Argjentina dhe Spanja janë përballur vetëm një herë në historinë e Kupës së Botës. Dueli i vetëm daton në vitin 1966, kur Argjentina fitoi 2-1 në “Villa Park”.

Në përballjet e tjera, dy kombëtaret janë takuar kryesisht në miqësore. Bilanci është i ekuilibruar, me një avantazh të lehtë për Spanjën: gjashtë fitore për iberikët, pesë për Argjentinën dhe dy barazime.

Sfida e fundit mes tyre ishte në vitin 2018 në Madrid, ku Spanja fitoi me rezultatin e thellë 6-1.

Tani, pas vitesh pritjeje, dy prej emrave më të mëdhenj të futbollit botëror rikthehen përballë njëri-tjetrit. Spanja kërkon yllin e dytë në fanellë, ndërsa Argjentina synon të mbajë kurorën e kampiones.

EMISIONET