Mbappé padit sërish PSG-në, këtë herë për tentativë shantazhi dhe dëme morale

Kylian Mbappé ka ndërmarrë hapa ligjorë ndaj ish-klubit të tij, Paris Saint-Germain.
Sulmuesi aktual i Real Madrid ka paditur klubin francez për tentativë shantazhi dhe dëme morale, lidhur me ngjarjet që ndodhën gjatë verës së vitit 2023.
Sipas mediave franceze, dy gjyqtarë hetues janë caktuar për të ndjekur çështjen dhe për të hetuar akuzat e ngritura nga lojtari.
Mbappé kërkon një dëmshpërblim milionësh, duke pretenduar se PSG e ka dëmtuar rëndë gjatë procesit të rinovimit të kontratës së tij, kur ai po afrohej nga Real Madridi.
Në atë periudhë, klubi parizien e kishte përjashtuar nga skuadra, duke e lënë jashtë planeve të ekipit si formë presioni, gjë që sipas Mbappé-së përbën një formë shantazhi dhe cenim të rëndë të dinjitetit të tij.
Kjo çështje pritet të shkaktojë debat të madh në ambientin sportiv francez dhe europian, duke hedhur dritë mbi tensionet që shoqëruan largimin e ‘yllit’ francez nga PSG.

