MAROKU PUBLIKON LISTËN PËR BOTËRORIN! Hakimi dhe Brahim Diaz udhëheqin kombëtaren marokene
Maroku ka zyrtarizuar listën e lojtarëve për Kupën e Botës 2026, me Achraf Hakimi dhe Brahim Diaz si figurat kryesore të skuadrës. Trajneri Mohamed Ouahbi ka kombinuar eksperiencën me talentet e reja për turneun.

Maroku ka publikuar listën e lojtarëve të grumbulluar për Kupën e Botës 2026, ku spikasin emra të njohur të futbollit evropian si Achraf Hakimi i Paris Saint-Germain dhe Brahim Diaz i Real Madridit.
Lista u prezantua në Rabat nga trajneri Mohamed Ouahbi, i cili mori drejtimin e “Luanëve të Atlasit” tre muaj më parë, pas largimit të Walid Regragui. Trajneri i ri ka ruajtur bazën e skuadrës që mori pjesë në Kupën e Afrikës gjatë muajve dhjetor dhe janar.
Në listë janë përfshirë emra si portieri Yassine Bounou, mbrojtësi Noussair Mazraoui, mesfushorët Sofyan Amrabat, Neil El Aynaoui dhe Bilal El Khannouss, si edhe sulmuesi Ayoub El Kaabi.
Ouahbi ka grumbulluar edhe mbrojtësin Nayef Aguerd, pavarësisht se lojtari nuk ka luajtur që prej muajit mars, kur iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale për shkak të një dëmtimi të vazhdueshëm.
Trajneri maroken ka vendosur gjithashtu t’i japë hapësirë talenteve të reja si Ayoub Bouaddi, Issa Diop dhe Samir El Mourabet, lojtarë që u thirrën për herë të parë në muajin mars gjatë ndeshjeve miqësore të kombëtares.
Maroku do të debutojë në Kupën e Botës më 14 qershor në ndeshjen ndaj Brazilit, në kuadër të Grupit C, ku bëjnë pjesë edhe Skocia dhe Haiti.
Përfaqësuesja marokene synon të konfirmojë nivelin e lartë të treguar në vitet e fundit në arenën ndërkombëtare, pasi u kthye në një nga skuadrat më të forta afrikane dhe arabe në kompeticionet madhore.
Achraf Hakimi dhe Brahim Diaz konsiderohen liderët teknikë të skuadrës, ndërsa trajneri Mohamed Ouahbi pritet të mbështetet te përzierja mes eksperiencës dhe lojtarëve të rinj për objektivat e Marokut në Botëror.


