Luiza Gega tregon veten në Itali, kampionia kuqezi del e dyta në garën 5 km rrugë

Luiza Gega tregon veten në Itali, kampionia kuqezi del e dyta në

Luiza Gega ka hapur sezonin veror me pjesëmarrjen në aktivitetin e mbajtur në Oderzo të Trevizos në Itali. Një event prestigjioz, në të cilën konkurruan emra të rëndësishëm të atletikës botërore, ashtu sikurse është edhe Luiza Gega.

Për këtë të fundit, organizatorët italianë në përshkrimin e tyre quajnë “një yll të atletikës kontinentale”, duke iu referuar rezultateve mbresëlënëse ndër vite të Luizës, të cilat kulmuan sezonin e kaluar me titullin e kampiones së Europës me rekord kampionati në garën e 3000 netrave me pengesa të mbajtur në Mynih.

Duke kaluar te gara e sotme, Luiza mori pjesë në disiplinën 5 km rrugë. Atletja shqiptare u rendit në vend të dytë me kohën 15.37 minuta, pas italianes Ludovika Kavali (15.35) në një garë të fortë që u vendos vetëm në finish. Ndërsa podiumi u plotësua nga hungarezja Viktoria Vagner-Giurkes me kohë 15.45.

Gega vinte në këtë aktivitet me synimin për të thyer rekordin e saj personal, por koha me shi si dhe terreni aspak favorizues ia bënë të pamundur diçka të tillë.

Ndalesa e radhës për Luizën do të jetë më 2 qershor në “Diamond League”, ku dhe do t’i rikthehet disiplinës së saj të preferuar, garës së 3000 metrave me pengesa.

EMISIONET