Legjionarët/ Gjimshiti fantastik në “Anfield”, shënojnë Uzuni, Muçolli dhe Sadiku

Legjionarët/ Gjimshiti fantastik në “Anfield”,

Një tjetër javë me paraqitje pozitive për legjionarët kuqezi që aktivizohen me klubet e tyre në kampionatet jashtë vendit.

Në Europa League, Berat Gjimshiti zhvilloi një ndeshje shumë të mirë në fitoren historike 0-3 të Atalantës ndaj Liverpoolit.

Kapiteni i kombëtares shqiptare dha një kontribut të jashtëzakonshëm në prapavijë.

Duke u vlerësuar si më i miri në mbrojtje me notën 7.5.

31-vjeçari ishte i pakalueshëm, ndërkohë që skuadra italiane është vetëm një hap larg gjysmëfinaleve të Europa League.

Myrto Uzuni u rikthye te goli në kampionatin spanjoll.

Sulmuesi i Kombëtares shndërroi në gol një penallti që zhbllokoi takimin Granada-Alaves (2-0).

Për beratasin ishte goli i dhjetë sezonal në La Liga.

Një paraqitje fantastike zhvilloi edhe Arbnor Muçolli, i cili i dha fitoren skuadrës së tij Goteborg në transfertë ndaj Kalmarit.

Lojtari i kombëtares shqiptare realizoi golin e vetëm të takimit në nisje të pjesës së dytë, goli i parë për të në sezonin e ri në kampionatin suedez.

Në Turqi, Rey Manaj vijon formën e tij shumë mirë edhe pse këtë radhë nuk gjeti rrugën e rrjetës, por asistoi për shokun e skuadrës.

Sulmuesi kuqezi, në minutën e 52-të dha një asist vendimtar për shokun e tij Menig, me këtë të fundit që shënoi golin e vetëm të takimit.

Lushnjari u vlerësua me notën 8 nga sajti i specializuar për statistika Sofascore.

Rrugën e rrjetës këtë javë e gjeti edhe Armando Sadiku, i cili shënoi për Mohun Bagan në suksesin 0-4 ndaj Bengaluru.

32-vjeçari realizoi golin e fundit të takimit, duke vulosur një fitore shumë të rëndësishme për ekipin e tij.

Titullarë me skuadrat e tyre u aktivizuan edhe Elhan Kastrati, Ivan Balliu, Enea Mihaj, Jon Mersinaj, Naser Aliji, Ylber Ramadani, Keidi Bare, Klaus Gjasula, Ernest Muçi dhe Mirlind Daku.

Ndërkohë dhanë kontributin e tyre si zëvendësues Armando Broja, Elseid Hysaj, Mario Mitaj, Arbnor Muja dhe Arbër Hoxha.

EMISIONET