KUALIFIKIMET NË BOTËRORIN E KLUBEVE! Verdiktet në grupe, zbulohen çiftet çerekfinale
Dortmund dhe Fluminense siguruan kualifikimin nga Grupi F, ndërsa Interi mbylli në krye Grupin E në kampionatin botëror në klube. Katër sfidat e fundit të fazës së grupeve do të luhen mes të enjtes në mbrëmje dhe të premtes në mëngjes, me duele të forta si Juventus–Manchester City dhe Salzburg–Real Madrid.

Dortmund e mbylli në vendin e parë në Gupin F, pasi arriti që të mundë minimalisht koreanët e Ulsan. Gjermanët u mjaftuan nga një gol i Svensson për të rrëmbyer 3 pikët ndaj një kundërshtari modest në letër.
Verdhezinjtë ishin dominues përgjatë gjithë ndeshjes, teksa tani mendojnë për ndeshjen e radhës ndaj Monterrey.
Kualifikimin arriti dhe Fluminense që barazoi pa gola në takimin tjetër të grupit F me Mamelodi Sundoëns. Skuadra afrikane provoi disa here gjatë pjesës së parë, por brazilianët e administruan mire ndeshjen dhe arritën që të marrin një pike që i mbajti në vendin e dytë.
Kundërshtari i radhës për Fluminense do të jetë Interi që mori maksiumin në takimin e tretë të grupit E, ndaj River Plate, duke e mbyllur në vendin e parë. Italianët triumfuan 2-0 në sfidën e luajtur në "Lumen Field". Pavarësisht se pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura, në fraksionin e dytë, Esposito dhe Bastoni realizuan golat për zikaltrit. Duhet thënë që argjentinasit e mbyllën sfidën me 9 lojtarë, pasi Martinez Quarta dhe Montiel u ndëshkuan me kartonë të kuq.
Humbje që dhemb për River Plate, që i kushton eliminimin, pasi Monterrey shpartalloi 0-4 japonezët e Urawa duke kaluar më tej. Deossa, Berterama dhe Corona në pjesën e pare i bënë gjërat e lehta për meksikanët, që në fraksionin e dytë shënuan dhe të katërtin me Berterama. Fitore e lehtë, ndaj një kundërshtari që e mbylli në vendin e fundit me 0 pikë.
Në vijim do të luhen dhe katër ndeshjet e fundit të fazes së grupeve të botërorit të klubeve, teksa në orën 21:00 të kësaj të enjteje do të zhvillohen Juventus-Manchetser City e Wydad-Al Ain ndërsa në mëngjesin e së premtes, saktësisht në orën 03:00 do të luhen Al Hilal-Pachuca dhe Salzburg-Real Madrid.


