Java e 32-të e Kategorisë Superiore, spikat derbi Partizani-Dinamo
Java e 32-të e kampionatit “Abissnet Superiore” do të luhet të premten dhe të shtunën. Dy takimet e para do të zhvillohen në orën 15:00.
Në stadiumin “Elbasan Arena”, Erzeni do të përballet me Tiranën, një ndeshje shumë e rëndësishme për objektivat e të dyja skuadrave.
Në të njëjtën orë do të luhet edhe Kukësi – Skënderbeu, në stadiumin “Kukës Arena”. Tre ndeshjet e tjera të javës së 32-të do të zhvillohen të shtunën.
Takimi i parë i ditës do të jetë, Laçi-Egnatia që do të luhet në stadiumin e Laçit, në orën 15:00.
Bardhezinjtë do të kërkojnë triumfin e radhës, ndërsa rrogozhinasit janë vetëm një fitore larg për të siguruar matematikisht pjesëmarrjen në “Final Four”.
Në orën 18:00 do të luhen edhe dy takimet e fundit të javës së 32-të. Në stadiumin “Niko Dovana” Teuta do të presë Vllazninë, ndërsa në “Arenën e Demave” Partizani do të përballet me Dinamo City.