Inter-Barcelona - Ndeshje e paharrueshme, por me polemika shumë serioze arbitrimi

Pas ndeshjes dramatike mes Interit dhe Barcelonës në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve, e cila përfundoi me fitoren 4-3 të zikaltërve në kohën shtesë, polemikat për vendimet e arbitrit Szymon Marciniak kanë dominuar diskutimet në mediat ndërkombëtare.
Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, shprehu pakënaqësinë e tij për vendimet e arbitrit, duke deklaruar:
“Çdo vendim i diskutueshëm shkoi në favor të Interit”. Mesfushori Pedri, gjithashtu kërkoi hetim nga UEFA për arbitrin, duke thënë: “Nuk është hera e parë që ndodh me këtë arbitër. UEFA duhet të hetojë për këtë çështje”.
Mbrojtësi Eric García shtoi se vendimet e arbitrit ndikuan në rezultatin e ndeshjes, duke theksuar se ekipi i tij është ndjerë i dëmtuar nga gjykimi. Mediat ndërkombëtare kanë analizuar disa nga episodet më të diskutueshme të ndeshjes.
Penalltia për Interin: Një ndërhyrje e Cubarsí ndaj Lautaro Martínez u konsiderua si penallti nga arbitri pas rishikimit me VAR. Arsène Wenger komentoi: "Jam plotësisht kundër kësaj lloj penalltie. Dhe jam po ashtu plotësisht kundër përdorimit të VAR-it. Në shpejtësi normale, është një ndërhyrje e shkëlqyer dhe Cubarsí arrin i pari te topi.
Lautaro Martínez? Shikoni çfarë bën, ai anohet drejt tij (Cubarsít). Po e kërkon penalltinë. E di që nuk do të shënojë, sepse e ndien që ai është aty. Për mua, arbitri në këtë situatë tregon se nuk ka marrë vendimin e duhur".
Barcelona kërkoi disa herë penallti për faulle ndaj Lamine Yamal, por asnjëra nuk u akordua. Goli i barazimit të Interit nga Francesco Acerbi në minutën e 93-të u shoqërua me protesta nga Barcelona për një faull të mundshëm në ndërtimin e aksionit, por arbitri e “validoi” atë.
Konkluzioni? Një ndeshje e paharrueshme, por me mjaft polemika arbitrimi. Pavarësisht polemikave, ndeshja mes Interit dhe Barcelonës u konsiderua nga shumë si një nga më emocionueset në historinë e Ligës së Kampionëve, me 13 gola të shënuar në dy ndeshje dhe kthesa dramatike.
Interi tani përgatitet për finalen e madhe të Mynihut më 31 maj, ndërsa Barcelona do të fokusohet në kampionatin vendas, ku e pret “El Clasico” me Real Madridin.



