Guardiola kërkon falje për debatin me kameramanin: Kur e pashë përsëri, u ndjeva në siklet

Guardiola kërkon falje për debatin me kameramanin: Kur e pashë

Në prag të sfidës së Ligës së Kampionëve kundër Bayer Leverkusen-it, trajneri i Manchester City-t, Pep Guardiola, ka kërkuar falje për incidentin e së shtunës pas humbjes ndaj Newcastle-it.

Trajneri katalanas, menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, pati një debat të ashpër me Bruno Guimaraes dhe reagoi në mënyrë impulsive ndaj një kameramani që po filmonte skenën.

“Kërkoj falje. Kur e pashë përsëri videon, u ndjeva në siklet.

Ishte e sikletshme dhe i kërkoj falje kameramanit,” tha Guardiola në konferencën për shtyp. “Jam ai që jam.

Nuk jam i përsosur dhe bëj gabime, por një gjë është e sigurt: unë e mbroj skuadrën dhe klubin tim, mos më keqkuptoni.

Nga përvoja ime, për të fituar Premier League duhen 98 apo 100 pikë, përndryshe nuk e fiton dot. Dhe me katër humbje në 12 javët e para…”.

Adrenalina, sipas Guardiolës, shpesh të shtyn të bësh veprime të nxituara për të cilat pendohesh menjëherë më pas.

Pikërisht kjo ka ndodhur në ‘St James’ Park’, ku situata për City-n në garën për titull u ndërlikua edhe më shumë: Citizens tashmë janë tejkaluar nga Chelsea në vendin e dytë dhe fitorja e Arsenalit në derbin ndaj Tottenhamit i ka larguar 7 pikë nga kreu i tabelës.

Një diferencë që në teori mund të mbulohet, por vetëm nëse Arsenali ngadalëson ritmin e tij dominues dhe City ndalon hapat e gabuar.

Tani, fokusi i City-t është i gjithi te ndeshja e nesërme ndaj Leverkusen-it, një mundësi ideale për të lënë pas humbjen në Premier League dhe për të bërë një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit në fazën me eliminim direkt të Ligës së Kampionëve.

EMISIONET