#FreeJashari ‘pushton’ rrjetet sociale të Club Brugge, tifozët e Milanit kërkojnë 'lirimin' e mesfushorit shqiptar

Hashtagu #freeJashari ka pushtuar rrjetet sociale të klubit belg Club Brugge, teksa mijëra tifozë të Milanit po u kërkojnë drejtuesve të skuadrës belge të lirojnë Ardon Jasharin dhe të lejojnë kalimin e tij në Serinë A.
Tifozët kuqezi kanë vërshuar sidomos në Instagram, ku komentojnë me dhjetëra postimet e fundit të Club Brugge me një mesazh të thjeshtë, por domethënës: #freeJashari.
Kjo fushatë e pazakontë tregon dëshirën e madhe të tifozëve për ta parë talentin shqiptar me fanellën e Milanit.
Prej javësh, klubi italian është në negociata të vazhdueshme me Club Brugge për kartonin e Jasharit, i cili është vlerësuar rreth 40 milionë euro nga belgët.
Milan ka bërë disa tentativa, ndërsa oferta e fundit ka qenë 33.5 milionë euro fikse + bonuse që e çojnë shifrën përfundimtare mbi 35 milionë euro.
Megjithatë, Brugge ende nuk ka pranuar, pavarësisht vullnetit të qartë të lojtarit për të kaluar në Serinë A, dëshirë që e ka shprehur duke refuzuar edhe disa oferta të fundit nga Premier League.

