Federico Chiesa rikthehet në Serinë A? Milani dhe Napoli në garë, por mbetet një pengesë

Federico Chiesa po kërkon zgjidhje për të rilindur karrierën e tij dhe për t’u rikthyer në qendër të vëmendjes me fanellën e Italisë. Pas një sezoni të vështirë me Liverpoolin, ku ka luajtur vetëm në gjashtë ndeshje të Premier League dhe në tetë të tjera në kupat e ndryshme, sulmuesi italian është gjithnjë e më pranë rikthimit në Serinë A.
Sipas ‘Corriere della Sera’, Milani është destinacioni më i mundshëm, pasi vetë Chiesa ka dhënë sinjale të qarta se dëshiron të veshë fanellën kuqezi.
Megjithatë, klubi ka rezerva për gjendjen fizike të lojtarit, sidomos pas dëmtimit të rëndë në gju në vitin 2022, që e ka penguar të rikthehet në formën më të mirë. Një plus për Chiesa-n mund të jetë prania e Allegri-t, i cili e njeh mirë nga periudha tek Juventusi.
Një tjetër pengesë është paga e tij e lartë, 7.5 milionë euro në sezon, që e bën të vështirë një marrëveshje pa një kompromis financiar. Një zgjidhje mund të ishte huazimi me pagesë, duke qenë se Liverpool-i dëshiron të rrisë vlerën e kartonit të tij para një shitjeje përfundimtare.
Nga ana tjetër, edhe Napoli mbetet i interesuar, ndonëse prioritet është Darwin Núñez dhe Chiesa shihet vetëm si një opsion alternativ në këtë merkato.
Për vetë Chiesa-n, rikthimi në Serinë A dhe rritja e minutazhit do të ishin jetike për të bindur Rino Gattuso-n, që, tashmë në rolin e trajnerit të Italisë, e ka cilësuar atë si një nga lojtarët kyç për misionin e kthimit të “Azzurrëve” në Botëror. Destinacioni i tij përfundimtar mbetet për t’u parë.


