ATLETIKË/ Skandal botëror, Turqia blen medalistët olimpikë xhamajkanë për ‘Los Angeles 2028’

ATLETIKË/ Skandal botëror, Turqia blen medalistët olimpikë

Atletika botërore po përballet me një tjetër çështje të nxehtë që ka tronditur opinionin publik. Turqia, e njohur prej vitesh për rekrutimin e atletëve nga Kenia dhe Etiopia, ka ndryshuar strategji dhe tashmë ka kthyer sytë nga talentët e Xhamajkës. Synimi? Të përforcojë ekipin e saj për Lojërat Olimpike të Los Angeles 2028.

Sipas “SportMax”, Roje Stona (kampion olimpik në hedhjen e diskut) dhe Rajindra Campbell (bronzi në shtytjen e gjyles në Paris 2024) kanë pranuar ofertën e majme të Turqisë dhe kanë kërkuar zyrtarisht tek World Athletics ndryshimin e kombësisë.

Nuk përjashtohet që t’u bashkohen edhe Jaydon Hibbert (kampion bote U20 në trehapësh) dhe Wayne Pinnock (nënkampion olimpik në kërcim së gjati), çka do të sillte një eksod të paprecedentë për atletikën xhamajkane.

Ministri turk i Sportit, Onder Ozbilen, e konfirmoi këtë lëvizje për televizionin xhamajkan: “Do të ketë një projekt të madh për ta, një investim serioz. Do të jenë ambasadorët tanë.” Paketa financiare përfshin një bonus fillestar prej gjysmë milioni eurosh, pagë mujore të lartë dhe shpërblime të majme për medaljet olimpike (në Paris 2024: 531 mijë dollarë për arin, 313 mijë për argjendin dhe 157 mijë për bronzin).

Megjithatë, Turqia përballet me një sfidë kohore, pasi rregullorja e World Athletics kërkon një periudhë trevjeçare nga ndryshimi i kombësisë deri në debutimin ndërkombëtar.

Ky veprim ka ngjallur shqetësim në botën e atletikës, duke rikthyer kujtimet e rasteve të mëparshme, si ai i Elvan Abeylegesse, që përfundoi me skandal dopingu. Turqia po përpiqet të ripërsërisë sukseset e dikurshme me emra të rinj dhe objektiva të qartë olimpike.

EMISIONET