Bellingham futet në historinë e Anglisë, "thyen" rekordin e Lineker dhe Harry Kane në Botëror

Bellingham futet në historinë e Anglisë, "thyen"

Jude Bellingham ka vendosur një rekord të ri me kombëtaren angleze, duke u bërë golashënuesi më i mirë i Anglisë në një edicion të vetëm të Kupës së Botës.

Mesfushori i Real Madridit arriti këtë rekord pas golit të shënuar në fitoren 6-4 ndaj Francës në ndeshjen për vendin e tretë, duke e çuar në shtatë numrin e golave të realizuar në këtë Botëror.

Përballja e zhvilluar në Miami ishte një nga më spektakolaret e turneut, me plot 10 gola të shënuar. Anglia siguroi medaljen e bronztë pas një ndeshjeje me ritëm të lartë, ku Franca luftoi deri në minutat e fundit.

Në momentin kur francezët ngushtuan diferencën në 5-4, Bellingham realizoi golin që vulosi fitoren e anglezëve dhe njëkohësisht hyri në historinë e futbollit të vendit të tij.

Me shtatë gola, ai kaloi dy emra legjendarë të kombëtares angleze.

Gary Lineker kishte shënuar gjashtë gola në Botërorin e vitit 1986, ndërsa Harry Kane e barazoi këtë shifër në Botërorin 2018. Tashmë rekordi i përket Bellingham.

Mesfushori pati edhe mundësinë ta rriste më tej bilancin personal, por vendosi t'ia linte penalltinë Bukayo Sakas.

Pas ndeshjes, Saka tregoi se ishte vetë Bellingham ai që e nxiti të merrte përgjegjësinë nga pika e bardhë.

“Jude më tha të shkoja dhe ta gjuaja penalltinë. Ai nuk kishte ndërmend ta merrte vetë dhe unë isha i bindur se do ta ekzekutoja”, u shpreh Saka.

Me këtë paraqitje, Bellingham jo vetëm që ndihmoi Anglinë të mbyllte Botërorin në podium, por vendosi edhe një rekord të ri që e fut mes emrave më të rëndësishëm në historinë e kombëtares angleze.

 

EMISIONET