Barcelona në udhëkryq, Messi dhe blerjet nuk mund të regjistrohen në La Liga

Barcelona në udhëkryq, Messi dhe blerjet nuk mund të regjistrohen

Vetëm pak ditë para se të fillojë faza përgatitore për sezonin e ri te Barça, klubi po përjeton momente shumë të vështira dhe të një ankthi të madh.

Siç është raportuar, klubi i Barçës tashmë do të duhet të ulë kufirin e pagave dhe nëse nuk e bën, ekipi nuk do të jetë në gjendje të regjistrojë blerjet që ka bërë deri tani si Eric Garcia, Emerson, Depay dhe Agüero, e për më tepër as Leo Messi, i cili nuk ka më një kontratë me klubin dhe të cilin tani Liga e Futbollit e konsideron një blerje të re duke qenë se i ka mbaruar kontrata.

Situata nuk është aspak e mirë dhe shumë e paqartë sepse Barça do të duhet të ulë kufirin e pagave nga 347 milion eurove që kishte sezonin e kaluar, në 160 mln euro, pothuajse përgjysmim. E gjithë kjo situatë negative vjen nga humbjet që pati klubi blaugrana që arrijnë në 350 milion euro në sezonin 2020-21, pra që u mbyll.

Drejtuesit po mendojnë zgjidhje për këtë vorbull që ka përfshirë një nga klubet më të rëndësishme në botë dhe sakrificat mund të jenë shumë të mëdha duke nisur nga lirimi i lojtarëve pa fituar asgjë vetëm e vetëm të lirohen nga pagat e tyre.

Kështu, Samuel Umtiti ose Pjanic mund të lihen të lirë duke prishur kontratat dhe duke liruar disa milionë euro nga pagat, e të njëjtën gjë po mendon të bëjë edhe me futbollistë si Coutinho. Për të tjerët si Neto, Júnior Firpi ose Braithwaite, klubi shpreson të marrë para për transferimin e tyre diku tjetër teksa në listë janë edhe lojtarë absolutisht të transferueshëm si Lenglet, Dembélé ose Griezmann.

Megjithatë, një alternativë tjetêr është edhe ulja e pagave me veteranë ku Laporta arriti një marrëveshje me Piqué ndërsa me Jordi Alba, Sergio Busquets apo Sergi Roberto mbeten për t'u diskutuar. Objektivi me Busquets dhe Alba është që të prishin kontratat aktuale dhe të bëjnë kontrata të reja në përputhje me situatën ekonomike të klubit dhe asaj që kërkon Liga e Futbollit Spanjoll.

Ndërkohë, Messi pret në Argjentinë edhe pse ka një pakt me Laportën, por situata fillon të ndërlikohet më shumë dhe Liga nuk po tregohet fleksibël, pasi tashmë e ka bërë të qartë përmes presidentit të saj, Javier Tebas, se nuk do të lejojë askënd të anashkalojë kontrollet ekonomike të Ligës së futbollit Spanjoll.

EMISIONET