Arrestohet presidenti i FFK-së, Agim Ademi

Arrestohet presidenti i FFK-së, Agim Ademi

Prokuroria Themelore e Prishtinës cakton arrestin 48 orësh për kreun e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi. Numri 1 i federatës kosovare akuzohet për veprat penale “keqpërdorimi i besimit” dhe “shmangie nga tatimi” që lidhen me institucionit që ai drejton.

Prokuroria ka thënë se është në koordinim me Policinë duke ndërmarrë veprime hetimore lidhur me këtë çështje.

Një ditë më parë, policia i kishte bërë me dije se Ademi duhej të paraqitej sot në rajon për t’u marrë në pyetje dhe në fund të procesit, ai është ndaluar për 48 orë.

Ditë më parë Ademi është shpallur i pafajshëm për një akuzë të ngritur ndaj tij në vitin 2012, për të cilën fillimisht ishte dënuar në dy shkallë të gjyqësorit me 9 muaj burgim efektiv, por gjykata Supreme e kishte çuar në rigjykim rastin e tij dhe në fund u shpall i pafajshëm nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Ndërkohë, sekretari i Përgjithshëm në Federatën e Futbollit të Kosovës, Taulant Hodaj, ka thënë se hetuesit kanë bërë shkelje duke i marrë në pyetje lojtarët pa pasur urdhër dhe për çështje që nuk ju përkasin atyre. Ai ka parlajmëruar masa ligjore për këtë veprim.  

 

Por çfarë parashikojnë nenet që mendohet se ka shkelur Ademi në kodin e procedurës Penale të Republikës së Kosovës:

 

Neni 307

Shmangia nga tatimi

1. Kushdo që me qëllim që ai apo personi tjetër të fsheh apo t’i shmanget, pjesërisht apo tërësisht, pagesës së tatimit, apo kontributeve të tjera që kërkohen me ligj, apo i shmanget tatimit duke përfituar rimbursimet tatimore apo kreditë tatimore të pajustifikuara, jep të dhëna të pavërteta për të ardhurat apo nuk i përfshin të dhënat lidhur me të ardhurat e tij, gjendjen ekonomike apo fakte të tjera, ose përndryshe ofron informata false relevante për vlerësimin e detyrimeve të tilla, dënohet me gjobë dhe me burgim deri në katër (4) vjet.

Neni 330

Keqpërdorimi i besimit

1. Kushdo që gjatë përfaqësimit apo kujdesit për interesat pasurore të personit tjetër nuk i përmbush detyrimet e tij ose i keqpërdor autorizimet e tij me qëllim që vetes apo personit tjetër t’i sjellë dobi pasurore të kundërligjshme apo t’i shkaktojë dëm personit interesat pasurore të të cilit ai i përfaqëson ose pasuria e të cilit është nën kujdesin e tij, dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre (3) muaj deri në tre (3) vjet.

2. Nëse vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni kryhet nga kujdestari, avokati apo ndonjë person tjetër që ka detyrim ligjor ndaj pronarit të pasurisë, kryesi dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

EMISIONET