Ilaçet për humbje peshe zgjasin pak! Studimet tregojnë se kur njerëzit ndalojnë marrjen e tyre, pesha rikthehet
Ilaçet për humbje peshe po ndryshojnë trajtimin e obezitetit, duke ndihmuar shumë njerëz të humbin peshë shpejt. Megjithatë ekspertët theksojnë se pesha shpesh rikthehet madje më shpejt se më parë.

Ilaçet për humbje peshe po përhapin një epokë të re në trajtimin e obezitetit, por ekspertët paralajmërojnë se ato nuk janë një zgjidhje e përhershme.
Miliona njerëz në mbarë botën po përdorin medikamente si Ozempic dhe Mounjaro, të cilat ndihmojnë në uljen e oreksit dhe në humbjen e konsiderueshme të peshës.
Këto ilaçe funksionojnë duke imituar hormonet që i tregojnë trupit kur është i ngopur, duke bërë që individët të hanë më pak. Shumë persona fillojnë të humbin peshë që në javët e para, dhe në disa raste mund të humbasin deri në 20% të peshës trupore brenda një viti e gjysmë.
Megjithatë, një nga sfidat më të mëdha është se efekti i tyre nuk zgjat gjithmonë.
Studimet tregojnë se kur njerëzit ndalojnë marrjen e këtyre ilaçeve, pesha shpesh rikthehet madje ndonjëherë më shpejt se më parë.
Kjo ndodh për shkak të ndryshimeve hormonale dhe rikthimit të oreksit, si edhe të ashtuquajturit “zë i ushqimit”, që janë mendime të vazhdueshme për të ngrënë.
Ekspertët theksojnë se shumë persona duhet t’i përdorin këto medikamente për një kohë të gjatë për të ruajtur rezultatet.
Por kjo nuk është gjithmonë e mundur për shkak të kostos, efekteve anësore apo dëshirës për të mos u varur nga ilaçet.
Shpesh ato shkaktojnë probleme me tretjen, gurë në tëmth apo inflamacion të pankreasit. Megjithatë, për personat me obezitet të rëndë, përfitimet shpesh janë më të mëdha se rreziqet, duke ulur mundësinë e sëmundjeve si ato të zemrës, goditja në tru apo kanceri.
Një element kyç për sukses afatgjatë është ndryshimi i stilit të jetesës.
Dieta e shëndetshme, aktiviteti fizik dhe mbështetja psikologjike janë thelbësore për të shmangur rikthimin e peshës.


