Gratë në Skoci tani kanë të drejtë ligjore për produkte falas për menstruacionet. Hera e parë në botë
Skocia është bërë vendi i parë në botë që ofron produkte të higjienës falas për femrat.
Nga e hëna lines, tamponë dhe produkte të tjera u jepen falas grave që kanë nevojë për to.
Sipas ligjit të ri, produktet do të jenë të disponueshme për t'u aksesuar në ndërtesat publike, duke përfshirë shkollat dhe universitetet në të gjithë Skocinë.
Do të jetë përgjegjësi e autoriteteve lokale dhe ofruesve të arsimit që të sigurojnë që produktet të jenë në dispozicion pa pagesë.
“Krenar për atë që kemi arritur në Skoci”, shkroi në twitter deputetja e Partisë Laburiste skoceze, Monica Lennon.
"Ne jemi të parët, por nuk do të jemi të fundit."
Akti i Produkteve të Menstruacionit, i cili u miratua nga Parlamenti Skocez të dielën në mbrëmje, paraqet detyrim ligjor për autoritetet që të ofrojnë produkte të menstruacionit falas për ata që kanë nevojë për to.
Zanafilla e legjislacionit nisi në vitin 2018, kur zëdhënësja e shëndetit nga radhët e Partisë Laburiste skoceze, Monica Lennon, nisi një fushatë mbarëkombëtare për të ofruar produkte sanitare falas.
"Kjo do të bëjë një ndryshim masiv në jetën e grave dhe vajzave dhe të gjithë atyre që kanë menstruacione. Tashmë shihet një përparim i madh në nivel komuniteti dhe të autoriteteve lokale për t'i dhënë të gjithëve mundësinë e dinjitetit të periudhës mujore", u shpreh Lennon në një deklaratë.
Lëvizja e Lennon-it mori mbështetje popullore, kurse në vitin 2020 Parlamenti Skocez miratoi mocionin duke e kthyer këtë dispozitë në ligj, dhe deputetët skocezë votuan njëzëri në mbështetje të tij.
Sipas "Women for Independence", një grup fushatash, afërsisht një në pesë gra kishte përjetuar mungesë të produkteve të menstruacioneve që kishte efekte të dëmshme në higjienën, shëndetin dhe mirëqenien e tyre.