Kryeministri Edi Rama ka arritur sërish të surprizojë socialistët dhe në veçanti anëtarët e kabinetit të tij duke shkaktuar sërish rrotacion.

Gjatë festave të fundvitit, ai ka arritur të gëzojë Olta Xhaçkën duke e spostuar nga Ministria e Mbrojtjes tek dikasteri i Ministrisë së Jashtme.

Dhurata e vërtetë kryeministrore ka qenë për Niko Peleshin duke e rikthyer në qeveri pas 2 vitesh ndërprerje, për të drejtuar deri me 25 prill Ministrinë e Mbrojtjes.

Lajmërimi në Twitter

Siç ka ndodhur edhe herët e tjera, ndryshimet në qeveri Edi Rama vijon t’i paralajmërojë në Twitter-in e tij. Gent Cakaj nuk do të festojë si ministër në detyrë, pasi kryeministri vendosi ta largonte nga ky post. Por ndryshe nga sa ndodhi me Besa Shahinin pak muaj më parë që e la të largohej në Kosovë, Cakajn Rama e ka rikthyer sërish pranë vetes në kabinet.

“Pas një periudhe intensive pune në kryesimin e OSBE si edhe punës së madhe me përkushtim e profesionalizëm të Gent Cakajt si ministër në detyrë, ky është momenti për t’ia kaluar bashkarisht stafetën Olta Xhaçkës që të kryejë detyrën e ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme. Ndërkohë Niko Peleshi do të drejtojë ministrinë e mbrojtjes.”

Olta Xhaçka ka mbajtur postin e Ministres së Mbrojtjes që nga shtatori i 2017, ndërsa tani (29 dhjetor 2020) Rama i ka besuar Ministrinë e Jashtme, e cila deri me 25 prill duhet të bindë vendet skeptike për të hapur negociatat me Shqipërinë.

Deputeti i Korçës Niko Peleshi, i cili do të zëvendësoje Xhaçkën, gjatë mandatit të parë të qeverisë ka mbajtur postin e zëvendëskryeministrit, ndërsa më pas u spostua në dikasterin e bujqësisë. Peleshi u largua nga kabineti i Ramës në momentin kur ai nisi kritikat ndaj qeverisë.

Pasi u gjend para faktit të kryer, Gent Cakaj ka bërë detyrën e tij procedurale duke i paraqitur kryeministrit dorëheqjen e parevokueshme. Ndërsa ai ka lënë edhe një këshille për zëvendësuesen e tij Olta Xhaçka që të ketë në vëmendje shqiptarët në rajon.

Vetëm pak ditë më parë më 16 dhjetor, 2020 u ndryshua edhe ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, i cili u zëvendësua nga Bledi Çuçi që mbante detyrën e ministrit të Bujqësisë. Në vend të Çuçit u emërua Milva Ekonomi.

Emrat e rinj të qeverisë, pa patur ende një dekret nga Presidenti, kanë marrë edhe miratimin e ambasadores amerikane Yuri Kim.

LEXO EDHE: “Miqësia mes Shqipërisë dhe SHBA vazhdon prej drejtuesve si ti” Yuri Kim reagon pas dorëheqjes së Cakajt