VIDEO/ Prag tragjedie në Prishtinë! Dy civilë dhe pesë zjarrfikës të lënduar nga zjarri në një ndërtesë

Dy qytetarë dhe pesë zjarrfikës kanë mbetur të lënduar nga zjarri që ka përfshirë çatinë e një ndërtese afër Parkut të qytetit në Prishtinë.
Këtë e ka konfirmuar drejtori për Siguri dhe Emergjenca, Lulëzim Fushtica, i cili konfirmoi se tashmë gjendja e zjarrit është në kontroll dhe në shuarje.
Për gjendjen e qytetarëve dhe të zjarrfikësve, Fushtica tha se ata nuk kanë marrë lëndime të mëdha.
Ai tha se rasti i zjarrit është njoftuar në orën 07:28 në mëngjes, ndërsa zjarri ka arritur të shuhet vetëm pas pesë orëve.
“Në orët e hershme të mëngjesit, pra rastin e kemi pranuar në ora 07:28 në mëngjes. Menjëherë të gjitha ekipet që kanë qenë në detyrë, po edhe ekipe të tjera janë angazhuar. Pra për momentin e kemi këtu, prej fillimit ë brigadën profesionale të zjarrfikësve, policinë e kryeqytetit, ekipet e emergjencës mjekësore, të drejtorisë për siguri dhe emergjenca dhe deri tani, pra sa po flasim, është ora 12:45, që 5 orë jemi këtu dhe për këtë moment është ngjarja e lokalizuar…. I kemi të lënduar, të them, dy qytetarë të cilët kanë qëlluar në ndërtesë, në banesën e tyre. Njëri prej tyre është fëmijë 5-vjeçar, i cili është në emergjencë. Dhe gjatë intervenimeve janë edhe pesë zjarrfikës të cilët kanë kërkuar ndihmë, mirëpo nuk janë lëndime të them të të mëdha, po janë lëndime, të them, profesionale gjatë kryerjes së punës së tyre dhe ata të gjithë janë trajtuar nga ekipet e emergjencës që janë në vendin e ngjarjes dhe vazhdojmë ende me punën”, tha ai.
Ai shtoi se është ende herët për të identifikuar shkaktarin e këtij zjarri në ndërtesë.
Ai tha se banorët e ndërtesës kulmi i së cilës është përfshirë nga zjarri, por edhe të ndërtesës pranë, janë evakuuar menjëherë pas fillimit të ngjarjes.
Ndërkaq, komandanti i zjarrfikësve në Prishtinë, Mala Gashi tha se për momentin gjithçka është në kontroll. Sipas tij, temperaturat e larta kanë ndikuar në zgjatjen e kohës së zjarrit në këtë ndërtesë.
Në vendin e ngjarjes ishin të pranishme edhe ekipe të zjarrfikësve nga Lipjani, si dhe më vonë në ndihmë iu erdhi edhe Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, ku sipas Gashit, ata iu kanë dalë në ndihmë me furnizim me ujë për ta shuar zjarrin. /KosovaPress


