BE kundërshton kërcënimin e Trump për tarifa 100%

BE kundërshton kërcënimin e Trump për tarifa 100%

Komisioni Evropian ka dënuar kërcënimin e presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e tarifave deri në 100% ndaj importeve nga vendet që miratojnë taksa të reja për shërbimet digjitale të gjigantëve amerikanë të teknologjisë.

Brukseli paralajmëroi se do të reagojë me shpejtësi dhe vendosmëri nëse Uashingtoni ndërmerr një hap të tillë.

Një zëdhënës i Komisionit Evropian deklaroi se Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare kanë të drejtën sovrane të rregullojnë aktivitetet ekonomike në territorin e tyre, në përputhje me vlerat demokratike dhe angazhimet ndërkombëtare.

Sipas tij, ”çdo masë e njëanshme që synon të ndëshkojë politika të tilla legjitime është e pajustifikuar”.

Ai theksoi se BE-ja do të mbrojë të drejtat dhe autonominë e saj rregullatore nëse kërcënimet zbatohen.

Presidenti Trump kishte paralajmëruar më herët se çdo vend evropian që vendos taksa të reja mbi shërbimet digjitale do të përballet me tarifa 100% për të gjitha mallrat që eksporton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në një postim në platformën e tij Truth Social, ai tha se ”këto tarifa do të zëvendësonin marrëveshjet ekzistuese tregtare, pavarësisht nëse ato janë nënshkruar apo zbatuar”.

Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja arritën vitin e kaluar një marrëveshje tregtare për t’i dhënë fund mosmarrëveshjes mbi tarifat. Megjithatë, zbatimi i plotë nga ana e BE-së u shty, ndërsa në muajin maj shtetet anëtare dhe Parlamenti Evropian miratuan dispozita mbrojtëse.

Këto masa përfshijnë një mekanizëm që i lejon BE-së të pezullojë koncesionet tarifore nëse SHBA-ja shkel marrëveshjen, përfshirë edhe në rast të vendosjes së tarifave të reja. Marrëveshja pritet të zbatohet plotësisht deri më 4 korrik.

EMISIONET