Tragjedi pranë kufirit me Kosovën/ Tre qytetarë gjenden të pajetë në makinën e përmbysur në Maqedoni të Veriut (EMRAT)

Tre qytetarë nga Kosova janë gjetur të vdekur në një automjet të përmbysur në Maqedoninë e Veriut, pranë kufirit me Kosovën. Ngjarja tragjike u zbulua mbrëmjen e së dielës, pasi një qytetar njoftoi autoritetet për makinën e aksidentuar.
Sipas raportimeve të mediave në Maqedoninë e Veriut, automjeti u konstatua rreth orës 22:35, ndërsa brenda tij u gjetën tre persona pa shenja jete.
Viktimat janë identifikuar si Ejup Ternava, Cennet Ternava dhe Fatmire Shabani, të gjithë shtetas nga Kosova.
Dy prej personave që humbën jetën kishin mbërritur më herët në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit dhe më pas ishin nisur në drejtim të Kosovës.
Policia dhe grupi hetimor kanë nisur verifikimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit dhe rrethanat që çuan në daljen e automjetit nga rruga. Ndërkohë, autoritetet vijojnë mbledhjen e provave për të përcaktuar dinamikën e plotë të ngjarjes.


