"Serbia do ekspansion në Ballkan", Abazi: Kurti ka marrë hapa në interes të Kosovës

Parlamenti i Kosovës ka debatuar për operacionet policore në veri të vendit dhe tërheqjen e qeverisë Kurti nga ndërtimi i një tubacioni gazi që ka mbështetjen e Amerikës. Ish-kryeministri Ramush Haradinaj mendon se Kurti po vepron qëllimisht që t'ia dorëzojë veriun Serbisë. Gjatë seancës në Kuvend, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës akuzoi kryeministrin Kurti se vendi perceptohet më i dobët për faj të tij dhe se po rrezikon dorëzimin te Serbia.

Boiken Abazi, ish-kreu i Vetëvendosjes në Shqipëri i ftuar në studion e Ora News me gazetaren Matilda Mcini e shikon të paarsyeshme ngutjen për kalimin e tubacionit nëpërmjet Greqisë dhe Maqedonisë.

Abazi: "Kanë qenë dy pika që kanë ngjallur debat në Parlamentin e Kosovës, njëra ka qenë gazsjellësi dhe pjesa tjetër ka të bëjë me përpjekjen e vazhduar të Serbisë për të instaluar asosiacionin e komunave me shumicë serbe. Sa i përket gazsjellësit është interesante sepse nuk po flasin zyrtarët amerikanë për këtë gjë, por përfaqësues të partive politike në Kosovë të cilët kanë ngritur pretendimin se nëse Kosova nuk ndërmerr hapa të shpejtë në këtë drejtim do prishë marrëdhëniet me SHBA. Ç'është ky ngut që tubacioni të vijë nga Greqia dhe Maqedonia? Unë nuk e kuptoj dhe nuk më duket e arsyeshme, as nuk është në shqetësimin e zyrtarëve amerikanë. "

Aksioni i policisë së Kosovës më 13 tetor kundër kontrabandës me mallra në veri shkaktoi tensione mes Serbisë dhe Kosovës. Abazi u shpreh se Kurti ka ndërmarrë hapa që janë në interes të shtetit të Kosovës. Sipas Abazit, Serbia nuk ka hequr dorë nga qëllimet e saj në Ballkan dhe veçanërisht në Kosovë.

Abazi: "Gjendja është e trashëguar dhe lidhet me keqqeverisjen e mëparshme. Qeveria Kurti ka ndërmarrë disa hapa që janë në interes të shtetit të Kosovës, por edhe më gjerë të interesave kombëtare. Policia e Kosovës ka ndërhyrë në veri për të siguruar vendosjen e reciprocitetit dhe e ka realizuar. Serbia nuk ka hequr dorë nga synimet e saj ekspansioniste në gjithë Ballkanin dhe veçanërisht në Kosovë. Pati dhe një deklaratë shumë të gabuar për mendimin tim të zotit Borrell, përfaqësuesi i lartë i BE, i cili i konsideroi të njëanshme veprimet e Kosovës.

Serbia ka arritur të gjejë ndonjë institucion që e mbështet qasjen e saj ose që bie pre e rrenave dhe mashtrimeve të saj. Në një situatë ku për rreth 21 vjet nuk është arritur dot që të vendoset rendi dhe ligji, të pretendojmë  që qeveria Kurti do vendosë menjëherë shtet të së drejtës, besoj se do ishte iluzion. Janë ndërmarrë disa hapa që nga një anë i tregojnë Serbisë jemi në nivel të barabartë bazuar në reciprocitetin si parim bazë, nga ana tjetër po luftohet krimi. Zoti Haradinaj tha se këto veprime po ndërmerren për të legjitimuar krijimin e Zajednicës.

Ai po thotë që "ju po shkaktoni trazira me qëllim që të uleni në bisedime me Serbinë dhe të mundësoni Zajednicën." Ky është mendimi i zotit Haradinaj sot. Kryeministri Kurti e ka bërë të qartë që do ishte e papranueshme për LVV që të minonte të ardhmen e Kosovës duke pranuar Zajednicën, që do ishte hapi i parë i shtetit brenda shtetit. "

EMISIONET