Kurti përplaset me Haradinajn për operacionet policore dhe tensionet në veri

Kurti përplaset me Haradinajn për operacionet policore dhe tensionet

Parlamenti i Kosovës ka debatuar për operacionet policore në veri të vendit dhe tërheqjen e qeverisë Kurti nga ndërtimi i një tubacioni gazi që ka mbështetjen e Amerikës. Ish-kryeministri Ramush Haradinaj mendon se Kurti po vepron qëllimisht që t'ia dorëzojë veriun Serbisë.

Aksionet policore në veri të Kosovës dhe më herët tensionet me Serbinë pas rivendosjes së reciprocitetit, përplasën të martën kryeministrin Albin Kurti dhe paraardhësin e tij, Ramush Haradinaj.

Gjatë seancës në Kuvend, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës akuzoi kryeministrin Kurti se vendi perceptohet më i dobët për faj të tij dhe se po rrezikon dorëzimin te Serbia.

“Gjatë periudhës që shkoj kemi parë dy operacione policore në veriun e vendit. Pas këtyre dy operacioneve, ka ndodhur përkeqësimi i gjendjes së rendit, dhe ligjit për siguri dhe dobësim i shtetit ligjor. Besoj se të gjitha ata që janë të fushës, mund ta japin këtë vlerësim.

Pra, pas dy here që ka operua Kosova në veri me policinë e vet, të dyja herët kemi dal më të dobët. Herën e parë është mbajtur policia peng në pikat doganore, kur edhe një i sëmurë, zyrtarë policor, nuk ka mundur me u bartë për në spital. Ndërsa, në herën e dytë, policia jonë ka mbërri mjaftueshëm me qenë në konflikt me grupe kriminale. Operacioni blic me ndodhë në shpejtësi, me u kthyer dhe me e lënë terreni në dorën e kriminelëve.

Dy operacionet, janë bërë qëllimshëm me dorëzu veriun. Kjo, qëllim, është projekte diku, nuk e di pse ndodhë kështu? Pasi që paguat rryma në veri dy herë nga 11 milionë, pse policia jonë duhet me u mbajtur peng prej grupeve kriminale/ Dy herë me herët policisë tonë s’ka guxuar askush me i dalë në rrugë policisë në veri.”

Sipas Kurtit, sfidat në veri të vendit janë të trashëguara dhe rendi e ligji janë përmirësuar mjaft nga më parë.

“Në veri të Ibrit ka më shumë rend e ligj tani e sot se sa kurdo herë tjetër që nga shpallja e pavarësisë. Asnjë barrikadë nuk ka në veri të Kosovës. A ka shumë punë e sfida? Po, sepse ato janë të trashëguara, por një nga një dhe krejt do t’i zgjidhim.

Veriu ka qenë i rrezikuar atëherë kur deputeti Haradinaj, e priste në zyrë kriminelin Milan Radojqic. Rreziku ka qenë nga marrëveshjet gjentelmene me kriminel. Nuk e rrezikon veriun policia, atë e rrezikojnë kriminelët dhe bashkëpunimi I tyre me politikanët e të gjitha ngjyrave dhe përkatësive. Kjo ka ndodhur publikisht në korrik të vitit 2018, pra atëherë është rrezikuar veriu, jo tash.”

Kurti gjithashtu kundërreplikoi për akuzën e dorëzimit të veriut.

Haradinaj: Frikën e kam tek kryeministri, qëllimshëm mori dy aksione me dorëzu veriun

“Ne jemi deputetë edhe politikanë, por donë me rikthy diskutimin te morali i trupave në terren. Unë nuk e kam qëllimin te morali i trupave, se i besoj Policisë së Kosovës. I besoj ushtarit të Kosovës, unë frikën e kam tek ti kryeministër, që t’i qëllimshëm i ke ndërmarrë dy veprime me dorëzu veriun. Këtë, jam duke e thënë. Pra, unë besoj që skenari i juaj me i ndërmarrë dy veprime dhe me lënë pastaj zbrazët që me u forcua kriminelët, dhe e ke bërë qëllimshëm. Kaq.”

“Kriminelët në veri, strukturat kriminale kurrë nuk kanë qenë më të frikësuara se tash, prandaj, nuk keni nevojë të më frikësoheni mua. Nuk dorëzohet veriu, por mos ngjallni dilema te polici kur shkoj herën e ardhshme në veri, s’e kush e di që ta çuar Albini atje. Kjo është e dëmshme dhe këtë s’ta ka borxh askush.”

Deputetët e opozitës kundërshtuan edhe tërheqjen e qeverisë nga ndërtimi i infrastrukturës së gazit me Maqedoninë e Veriut.

Projekti ka mbështetjen amerikane me 200 milionë dollarë dhe do e bënte vendin pjesë të Korridorit Jugor të Gazit që ka për qëllim uljen e varësisë së Europës për gaz natyror nga Rusia.

“Kemi bindjen e plotë që një vendim i tillë dëmton rënd interesat tona shtetërore dhe interesat gjeostrategjike të miqve tanë ndërkombëtarë me theks të veçantë SHBA-të. Një nga shtyllat kryesore me të cilat matet dhe vlerësohet serioziteti i një shteti është edhe aftësia e tij për të respektuar marrëveshjet ku janë të përfshirë qeveritë paraprake me palët e jashtme.

Në kohën kur pritej që në shtator të 2021 të hyjmë në fazën finale të aktiviteteve dhe ku më pas kjo marrëveshje do të sillej për t’u ratifikuar në Kuvendin e Kosovës qeveria e Kosovës merr vendimin tejet të pamatur për të ndërprerë realizimin e këtij projekti vital për shtetin e Kosovës.

Një veprim i tillë nuk mund të kuptohet ndryshe pos një veprim i ngutshëm, i dëmshëm dhe me pasoja të mëdha për vendin... Nëse qeveria e Kosovës nuk e rishqyrton urgjentisht vendimin e saj të gabuar, Kosova mund të përfundojë si shteti i vetëm në rajon pa qasje ne gaz dhe me pozitë tejet të vështirë në rrugën e saj për fuqizimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar.”,

“Sapo kryeministri tha se ka vendosur që fondet e MÇ-së, me I orientuar ën aspekte të tjera të energjisë. Imagjinoni sa lajm I keq për Kosovën. Pas tri vjet pune intensive dhe dakordimit që në nëntor me ndodhur investimi në gazsjellësin amerikan, kryeministri na njoftoj se ky ka vendosur në emër të Kosovës, pra ky ka vendosur me I devijuar ato fonde.

Ende si ka marrë ato para. Por, kryeministër a mundeni me na tregua se kur keni me na sjell gaz në Kosovë më lirë se sa me 200 milionë dollarë para falë të Amerikës. Pra kur keni me arrit ma ia sjellë Kosovës gazin më lirë se tash? Me para të Kosovës doni me bërë këtë, apo e keni alternativën diku tjetër? Pse zëvendëskryeministri e ka quajtur këtë projekt gaz rus. Tregoni ju lutemi pse I merrni këto vendime?”

Qeveria e Kosovës që nga fillimi i mandatit ka punuar intensivisht për t’i analizuar mundësitë e ndërtimit të gazsjellësit që do ta lidhe Kosovën e me Maqedoninë e veriut, I cili pastaj vazhdon nga ky shtet në Greqi e ku lidhet më pastaj me TAP-in gjatë kësaj periudhe ne kemi punuar posaçërisht për t’i qartësuar disa çështje. Koston e komponentëve të ndryshme të instruktuarës, mënyrën e financimit dhe sa do të duhej të marrim kredi si shtet, përdorimet potenciale të gazit dhe nga kush.

Entitetin dhe kushtet e përdorimit të termocentralit eventual me gaz dhe ndikimin e prodhimit të energjisë elektrike nga gazi në çmimet e energjisë… 22 vjet nuk ka pasur vendime të mëdha për energjinë, edhe ne në pak muaj të marrim një vendim për 22 vjetët e ardhshme është jo serioze nëse ngutemi dhe papërgjegjësi nëse nxitohemi.

Prandaj, ne jemi siguruar që vendimet të jenë sa më shumë të informuara duke marrë parasysh në radhë të parë përfitimet dhe çmimin që paguajnë bizneset dhe qytetarët që janë taksa paguesit tanë. S’e kur ta marrim gazin dikush duhet me paguar, e paguan qytetari i Kosovës… Është marrë vendim që fondet e MÇ të përdoren për projekte të tjera në sektorin energjisë.”

EMISIONET