Qeveria e Kosovës nuk e mirëpret propozimin e Ramës: Nuk kërkuam ndihmë, por mbështetje, ndërmjetësues kemi shumë

Qeveria e Kosovës nuk e mirëpret propozimin e Ramës: Nuk

Qeveria e Kosovës nuk po e mirëpret draft statutin për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të cilin dje kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, konfirmoi se ia ka nisur Berlinit dhe Parisit. Madje, kryenegociatori në bisedime me Serbinë, Besnik Bislimi, po konsideron se i njëjti ka “zero relevancë”.

Tashmë është bërë e ditur se ky draft statut ka arritur edhe në duar të Qeverisë Gjermane, siç u konfirmua për Nacionalen, derisa u mirëprit nga BE-ja.

“Çdo kontribut konstruktiv në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, nën të cilin po diskutohet për Asociacionin/Bashkësinë e Komunave me Shumicë Serbe, është i mirëseardhur. Përfaqësuesi i lartë, Borrell është në kontakt të vazhdueshëm me liderët e rajonit dhe të vendeve anëtare të BE-së.” – i tha Nacionales zëdhënësi Peter Stano.

Kosova nuk kërkoi ndihmë sa i përket hartimit të një draft statuti për Asociacionin, e rrjedhimisht, nuk ka relevancë propozimi i kryeministrit Rama, konsideron zëvendëskryeministri Bislimi.

Ai në një intervistë për Al Jazeera Balkans ka thënë se këto negociata janë mes Kosovës dhe Serbisë dhe në rast se kanë nevojë për përkrahje, do të kërkonin ndihmë.

“Diskutimet apo negociatat janë mes Kosovës dhe Serbisë drjet normalizimit të marrëdhënieve. Këto negociata janë mes kosovarëve dhe serbëve. Nëse përfaqësuesit e Republikës së Kosovës kanë nevojë për përkrahjen nga miq dhe ndërkombëtarë…në këtë pikë ne nuk kërkuam që dikush të na ndihmojë për draft statutin. Për këtë arsye, nga përspektiva ligjore ky propozim ka zero relevancë.” – ka deklaruar ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk ka folur ende në lidhje me këtë çështje, megjithatë, pak fjalë i ka thënë zëdhënësi i tij, Përparim Kryeziu.

“Nga Shqipëria zyrtare presim mbështetje. Ndërmjetësues kemi shumë.” – ka thënë ai për RTV Dukagjini.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama ende nuk kanë diskutuar në lidhje me vendimin e këtij të dytit, që ta dorëzojë një draft-statut rreth Asociacionit.

Rama në një intervistë për Nacionalen, të premten tha se ky është kontribut i Shqipërisë si shtet tjetër.

“Jo. Unë dua të jem shumë fer dhe në raport me partnerët. Kjo nuk është një konspiracion i shqiptarëve që ne po e bëjmë bashkë dhe pastaj unë do e çoj. Ky është një kontributi i Shqipërisë si shtet tjetër. Ne jemi vëllezër, por kemi dy shtete të ndryshme. Shqipëria ka shtetin e vet, Kosova ka shtetit e vet.” – tha ai.

Ndryshem sipas kryeministrit Edi Rama, draft statuti i cili ende nuk është publik dhe nuk dihet se çfarë përmban, është punuar nga “ekspertë të nivelit më të lartë amerikanë dhe evropianë”.

“Dje i kam përcjellë presidentit Macron dhe Scholz një draft të Asociaoinit për të cilin kam vënë në dijeni edhe Charls Michel dhe palën amerikane. Është një draft punuar nga ekspert të nivelit më të lartë amerikanë dhe evropianë prej kohësh. Gjë që është bërë pikërisht në rast se do të vinte kjo ditë.” – tha ai të enjten, derisa dha lajmin në lidhje me këtë çështje.

EMISIONET