​Policia bastis vilat e Radojiçiçit, Sveçla nxjerr VIDEON! Vuçiç thotë se ai është dorëhequr nga nënkryetari i Listës Serbe

​Policia bastis vilat e Radojiçiçit, Sveçla nxjerr

Pronat e nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radojiçiç, janë në mesin e objekteve që po bastisen sot nga Policia e Kosovës në kuadër të aksionit që po zhvillohet në veri të vendit.

Sipas videove të publikuara nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Radojiçiq ishte pjesë e grupit terrorist të sulmit terrorist të 24 shtatorit që ndodhi në Banjskë të Zveçanit.

Ai është i sanksionuar i ShBA-së dhe i kërkuar nga institucionet e Kosovës.

Ndryshe, Policia e Kosovës ka nisur sot në orët e hershme një aksion në pesë lokacione të veriut të vendit.

Drejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani ka thënë se deri më tash gjithçka ka shkuar mirë.

“Policia ka ndërmarrë një aksion të gjerë nëpër disa lokacione në veri dhe deri tash gjithçka është duke shkuar mirë dhe sipas planit”, ka thënë shkurt Elshani. Ai nuk ka dhënë detaje shtesë. 

"Sulmi terrorist me të cilin është ballafaquar Policia e Kosovës në fshatin Banjska të Zveçanit do të hetohet detajisht dhe deri në fund. Policia e Kosovës në zbatim të urdhëresës së gjykatës, sot është kryer bastistje në banesën e Milan Radojçiq, në vilën tij në Liqenin e Ujmanit, në një aneks/ngrohtore të Spitalit të Mitrovicës si dhe në shtëpinë e Vladimir Radojevic i njohur me nofkën “Mami”.

Ne e kemi dëshmuar edhe me pamje dhe me prova të tjera që udhëheqësi i këtij grupi ishte Milan Radojciq. Edhe nga pamjet që po shihen, dëshmohet se nuk bëhet fjalë për asnjë “luftëtar lirie” por për një Pablo Escobar të rajonit. Nën maskën e mbrojtësit të qytetarëve ai dhe bashkëpunëtorët e tij u bënë multi milionerë në kurriz të ligjit, shtetit dhe qytetarëve të tjerë. Prandaj, është e domosdoshme që vatra e krimit e gjithë këtyre viteve në veri të vendit të hetohet së bashku me të gjithë asetet, aparaturën dhe lokacionet e grupit terrorist", thote ai.

 

Deklatata e presidentit serb

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një intervistë për televizionin kombëtar spanjoll TV Espanyol ka thënë se nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.

“Radoiçiç nuk dëshiron ta dëmtojë më tej Listën Serbe”, ka thënë Vuçiç.

Në një intervistë për televizionin kombëtar spanjoll, presidenti serb e cilësoi situatën në Kosovë si shqetësuese, derisa i akuzoi kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani se janë agresivë.

“Nuk e di nëse ajo që ndodhi ishte një pikë kthese. Jam shumë i shqetësuar sepse e di sa agresivë janë Albin Kurti dhe Vjosa Osmani. Sidomos kur besojnë se kanë shumë mbështetje nga një pjesë e komunitetit ndërkombëtar dhe kjo më shqetëson dhe më tremb”, tha Vuçiç.

Ditë më parë Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kishte publikuar pamje ku shihej Milan Radojçiç, i armatosur e i uniformuar, brenda oborrit të manastirit të Banjskës, bashkë me disa terroristë të tjerë.

Radojçiç, ishte një nga udhëheqësit e sulmit terrorist në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri policor i Kosovës, Afrim Bunjaku.

Sipas raportimeve, Radojçiç është trajtuar në një spital të Serbisë, pasi është plagosur nga Policia e Kosovës

EMISIONET