Osmani: Maqedonia e Veriut ka përmbushur kushtet për hapjen negociatave, Bullgaria mos të bëhet pengesë

Në një intervistë ekskluzive për Ora News, me gazetaren Matilda Mcini, Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut,  është shprehur se vendi i tyre ka përmbushur të gjitha kriteret për të hyrë në negociata për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Ai thotë se edhe me Bullgarinë kanë bërë përpjekje të shumta, ndërkohë shton se vetoja që ka vendosur kjo e fundit nuk duhet të bëhet pengesë për hapjen e negociatave.

“Maqedonia e Veriut ka përmbushur të gjitha kriteret për fillimin e negociatave e madje edhe më tepër. Ne për momentin kemi 40% të legjislaturës të BE. Jemi të parët në rajon për realizimin e politike dhe ekonomike, për shkak se jemi mbajtur peng në këtë proces. Edhe me Bullgarinë ne kemi bërë përpjekje të shumta. Mendoj se kemi qenë palë konstruktive. Kemi nënshkruar marrëveshje për fqinjësinë, për të cilën janë bërë kompromise jo të lehta. Vetoja e Bullgarisë nuk duhet të jetë pengesë për fillimin e bisedimeve për shkak se vendimi politik, drita jeshile për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, është marrë vitin e kaluar në Mars edhe me pëlqimin e Bullgarisë."- shprehet ai, raporton Ora News.

Më tej shton se për shkak të kërkesave nga BE, kanë bërë një sërë marrëveshjes me Bullgarinë që sipas tij, këtë gjë nuk do e bënin shtetet e tjera të rajonit.

“26 vende anëtare të anëtare, në KE, kanë qenë të një zëri se kjo situatë nuk mund të durohet më. Ne jemi bërë testi lakmues për kredibilitetin e BE. Nëse ne nuk na jepet përgjigje pozitive, çfarë mesazhi mund t’i jepet Serbisë, Kosovës, të cilat kanë ngërçe. Për hir të strukturës evropiane , ndryshuam emrin e shtetit, bëmë kompromise që nuk do i bënte as një shtet kollaj. Ne e bëmë që të na hapet rruga drejt këtij procesi, dhe nëse kjo i mohohet Maqedonisë pas këtyre kompromiseve, nuk do ketë mesazhe të mira për rajonin. Pavarësisht kësaj ne e dimë që nuk kemi alternativë përveç BE. “- shprehet ai./ Ora News/ 

EMISIONET