Një ditë para Samitit të BE, Parlamenti bullgar rrëzon qeverinë e kryeministrit Kiril Pektov

Një ditë para Samitit të BE, Parlamenti bullgar rrëzon

Një ditë para Samitit të BE-së në Bruksel për Ballkanin Perëndimor, Parlamenti bullgar ka rrëzuar qeverinë e kryeministrit bullgar Kiril Petkov.

Rrëzimi i qeverisë bullgare erdhi pasi mocionit të mosbesimit nga ana e opozitës ku votuan 123 deputetë pro shkarkimit dhe 116 kundër.

"Ishte nder për mua që të drejtoja një qeveri që u rrëzua nga z. Peevski, z. Borisov, Slavi Trifonov dhe znj. Mitrofanova", tha Kiril Petkov pas votimit. 

"Ne do të vazhdojmë dhe një ditë do të kemi Bullgarinë pa mafia, pa mbytje, një vend i suksesshëm, evropian. Faleminderit", shtoi ai.

Deputetët e MRF-së u larguan të parët nga salla dhe menjëherë pas kësaj doli qeveria tashmë e rrëzuar.

Vendimi vjen në një moment kur Bullgaria pritet të heqë veton ndaj Maqedonisë së Veriut për të ecur përpara me negociatat me Bashkimin Evropian.

Qeveria e 99-të e Bullgarisë me kryeministër Kiril Petkov u zgjodh më 13 dhjetor 2021 nga Asambleja e 47-të Kombëtare.

Para formimit të saj, vendi shkoi në zgjedhje tre herë, një rekord në historinë e fundit politike të Bullgarisë dhe vetëm parlamenti i zgjedhur më 15 nëntor arriti të emërojë një kabinet.

Tashmë pritet që vendi të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme.

EMISIONET