Milan Radoiçiç e pranon: Më 24 shtator isha Banjskë. Personalisht i kam bërë të gjitha përgatitjet
Milan Radojiçiç ka dhënë dorëheqjen nga posti i nënkryetarit të Listës Serbe, duke pranuar edhe pjesëmarrjen në sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë.
Avokati i tij duke bërë të ditur vendimin ka lexuar edhe një letër të tij, ku pranohen akuzat e ngritura më parë nga ministri i Brendshëm i Kosovës Xhelal Sveçla.
Por ai shton se arsyeja e kthimit ishte inkurajimi i serbëve, popullit të asaj zone, sipas tij për t’i rezistuar terrorit të regjimit të Kurtit
Më tej ai tenton të heq përgjegjësitë për aksionin terrorist nga shteti serb, duke theksuar se e ka financuar vetë aksionin.
"Personalisht i kam bërë të gjitha përgatitjet logjistike për mbrojtjen e popullit tonë kundër okupatorit. Ky akt i imi nuk ka pasur asnjë karakter tjetër, asnjë qëllim dhe nuk ka të bëjë fare me përfshirjen time të mëparshme politike. Për këtë nuk kam njoftuar askënd nga strukturat qeveritare të Republikës së Serbisë, as nga strukturat politike lokale nga veriu i Kosovës dhe as kam marrë ndihmë prej tyre, sepse tashmë kemi pasur qëndrime të ndryshme për të kaluarën. Metodat e rezistencës ndaj terrorit të Kurtit."
Përfshirjen e tij në operacionin ku u vra rreshter Bunjaku u pa në videon që u realizua mbi manastirin në Banjskë.
Ai është i dyshuar edhe për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviç, për frikësimin e dëshmitarëve të rastin “Brezovica” dhe është i sanksionuar nga ShBA-ja dhe Britania e Madhe.