Lumi Drina "turpëron" rajonin, BBC reportazh me mbeturinat dhe ndotjen e tij
Këto janë pamjet e fundit të lumit Drina i cili shtrihet përgjatë kufirit mes Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës.
Në reportazhin e realizuar prej BBC sipërfaqja e tij, duket si një qilim mbeturinash plasike.
Rreshjet që kanë rënë përgjatë javëve të fundit kanë shkaktuar rritjen e nivelit të ujit në të cilin duken me sy të lirë duke notuar sendet shtëpiake, deri tek frigoriferët.
Ajo se çfarë e bën më shqetësuese situatën është fakti se për 20 vite nuk është marrë asnjë masë për parandalimin e kësaj ndotjeje masive.
Kreu i organizatës mjedisore Eko Centar Visegrad Dejan Furtula në intervistën e dhënë për televizionin BBC e cilësoi turp një panoramë të tillë teksa shtoi se institucionet kanë dështuar në mbrojtjen e këtij lumi.
"Përveç që paraqet një problematikë të lartë shëndetësore dhe mjedisore, ky lum është një burim turpi i madh për të gjithë ne, pasi kemi dështuar ta zgjidhim këtë çështje pas një periudhë kaq të gjatë kohe," tha ai.
Drina është dega më e gjatë e lumit Sava dhe lumi më i gjatë karstik në Alpet Dinarike që i përket pellgut ujëmbledhës të lumit Danub.
Me gjatësi 346km përpara se të rregullohej nga disa termocentrale, Drina e përmbyste luginën e saj. Më katastrofikja ndodhi në vitin 1896, e cila shkatërroi qytetin e Ljubovijës.