Kurti-Vuçiç s'ka pajtim as në Bruksel, Lajçak: Takim i vështirë, por me rëndësi është që ndodhi

Takimi i shumëpritur mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka rezultuar pak produktiv dhe me palët të ndara porsi më parë.
Tryezat në Bruksel synuan rikthimin te dialogu për normalizimin e raporteve dypalëshe, por ndërmjetësit e BE-së, kryediplomati Josep Borrell dhe emisari për dialogun, Miroslav Lajçak, thanë se gjëja e vetme ku gjetën dakordësi ishte takimi i radhës në fund të korrikut.
"Nuk ishte takim i lehtë por rëndësi ka që ndodhi. Dy liderët patën një debat të hapur e të çiltër për atë se çfarë kërkojnë nga dialogu. U konfirmua se nuk ka zgjidhje tjetër normalizim të raporteve Kosovë-Serbi, përmes dialogut. BE-ja dhe qytetarët e Kosovës dhe Serbisë kanë pritshmëri të larta prej dy liderëve që ta kapërcejnë të shkuarën dhe t'i prijnë vendet e tyre nga e ardhmja e përbashkët europiane," tha Lajçak.
Kurti deklaroi se ai i bëri katër propozime Serbisë: për një marrëveshje të tregtisë së lirë si CEFTA, për një pakt që shtetet të mos e sulmojnë njëri-tjetrin, të adresohej çështja e të pagjeturve të luftës dhe e pakicave kombëtare.
Tri propozimet e fundit u refuzuan ndërsa e para nuk mori përgjigje, tha Kurti.
Ndërsa kryeministri kosovar fajësoi palën serbe për ngurtësi në qëndrime, presidenti Vuçiç kritikoi qasjen agresive të Kurtit në dialog.
Për çështjen e viktimave të pagjetura të luftës, të konsideruar kardinale nga Prishtina, Vuçiç tha se ai ishte i hapur për kërkimet në Serbi por edhe në Kosovë, dhe se kjo e fundit duhet të garantonte respektimin e pakteve të vjetra.
"Në Bruksel, Kurti erdhi për të mos u pajtuar për asgjë. Erdhi të më pyesë se kur do ta njohim Kosovën dhe i thashë, kurrë. Aty shpërtheu. Nuk më ka ndodhur asnjëherë një takim i tillë," tha Vuçiç.
Përpara tryezës së përbashkët, Kurti dhe Vuçiç u ulën ndaras me dy diplomatët europianë.
Në Bruksel ata morën mesazhin se dialogu është i nevojshëm për të dy popujt dhe për rajonin e gjerë, e prej tij kushtëzohet e ardhmja europiane e të dyja vendeve.
Presidenti Vuçiç tha se do i dërgojë homologut amerikan, Joe Biden, dhe krerëve të fuqive perëndimore, një raport të drejtë e të saktë mbi dialogun që të dinë se kush po e pengon.

