Kosova refuzon "Open Balkan". Kurti: Operojmë me rregullat dhe vlerat e BE-së

Kosova refuzon "Open Balkan". Kurti: Operojmë me rregullat dhe

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka refuzuar ftesën e homologut maqedonas Dimitar Kovaçevski për të marrë pjesë në nismën Ballkani i Hapur, që pritet të mbahet në Shkup, në datat 7 dhe 8 qershor 2022.

Kurti i ka dërguar një letër Kovaçevskit, ku shprehet se Kosova është e angazhuar në mënyrë aktive në Procesin e Berlinit, i cili mbulon shumë iniciativa rajonale, duke përfshirë Tregun e Përbashkët Rajonal (CRM), i cili u miratua nga të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në samitin e Sofjes në 2020 dhe u miratua dhe u mbështet plotësisht nga Bashkimi Evropian.

Kryeministri i Kosovës thotë se Maqedonia e Veriut dhe Kosova  ndajnë vlera dhe aspirata të përbashkëta për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

"Të dyja vendet tona ndajnë vlera dhe aspirata të përbashkëta për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Ne gjithashtu ndajmë një besim të përbashkët në lirinë, demokracinë, drejtësinë dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe qytetarit, median e lirë dhe lirinë e mendimit dhe një mjedis politik ku opozita nuk heshtet, por lulëzon dhe mund të fitojë në zgjedhjet e ardhshme", shkruan Kurti.

Gjithashtu Kurti citon në letër se synimet arrihen më së miri në Tregun e Përbashkët Rajonal, ku operohet me rregullat e BE-së dhe është në interesin e dy vendeve të punojnë së bashku në parandalimin e Serbisë që të promovojë interesin e saj rus dhe kinez në rajon.

"Besoj se këto synime arrihen më së miri në Tregun e Përbashkët Rajonal, ku operojmë me rregullat e BE-së dhe vlerat e BE-së dhe ku punojmë për të siguruar mekanizma të trajtimit të drejtë nga të cilët përfitojnë të gjithë qytetarët tanë në mënyrë të barabartë...është në interesin tonë që të punojmë së bashku në parandalimin e Serbisë që të promovojë interesin e saj rus dhe kinez në rajonin tonë, duke mohuar vazhdimisht pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe duke bllokuar mundësitë e barabarta për qytetarët e Kosovës", shkruan Kurti.

EMISIONET