Islami: Beogradi po tenton të relativizojë k*imet e luf*ës në Kosovë

Analisti i sigurisë, Avni Islami, ka reaguar ndaj deklaratave të Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, duke e akuzuar Beogradin se po vazhdon përpjekjet për të relativizuar krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Islami ka kritikuar faktin që, sipas tij, Serbia përkujton viktimat serbe të luftës, ndërsa nuk përmend civilët shqiptarë të vrarë gjatë fushatës së saj ushtarake në Kosovë.
“E ashtuquajtura Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë doli me një deklaratë përmes së cilës përkujtohen civilët serbë të vrarë në rrethin e Rahovecit më 1999, pa i përmendur asnjëherë civilët shqiptarë të masakruar nga Serbia si rrjedhojë e fushatës gjenocidale ndaj shqiptarëve në atë vit”, ka shkruar Islami.
Ai ka lidhur këtë deklaratë edhe me komentet e fundit të një ministreje serbe, e cila ka deklaruar se do të kishte kryer spastrim etnik ndaj shqiptarëve të Kosovës nëse do të kishte qenë në pushtet gjatë vitit 1998.
Sipas Islamit, Serbia po ndjek një strategji për të zbehur përgjegjësinë për krimet e luftës dhe spastrimin etnik gjatë konfliktit të vitit 1999.
“Në strategjinë e Serbisë, qëllimi kryesor mbetet relativizimi i krimeve, spastrimit etnik dhe fushatës gjenocidale të kryer ndaj shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës së vitit 1999 dhe më herët”, ka deklaruar ai.
Islami ka theksuar gjithashtu se, pavarësisht ekzistencës së institucioneve për ndjekjen e krimeve të luftës në Serbi, sipas tij, deri tani nuk ka pasur dënime ndaj personave përgjegjës për krimet e kryera në Kosovë.
Ai e ka cilësuar këtë si një tjetër përpjekje për të shmangur përballjen me të kaluarën e luftës.


