Gjukanoviç për zgjedhje të parakohshme, Presidenti pritet të shpërndajë parlamentin, votimet në fund të majit
Në fund të majit kriza në Mal të Zi pritet të marrë fund me zgjedhje të parakohshme. Nga gushti i vitit të shkuar deri tani Abazoviç drejton kabinetin në kushtet ku asnjë lider tjetër nuk siguron shumicën. Analistët thonë se zgjedhjet presidenciale të 19 marsit janë test për qeverinë e ardhshme.
Mali i Zi pritet të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Që kur qeveria e Abazoviçit u rrëzua në parlament në gusht të vitit të kaluar, vendi nuk po gjen rrugëzgjidhje për një qeveri të re.
Mediat vendase bëjnë me dije se zgjedhjet mund të mbahen në fund të majit ose në fillim të qershorit nëse presidenti Milo Gjukanoviç vendos të shpërndajë Kuvendin.
Këshilltarët ligjore të Gjukaniviçit kanë propozuar shpërndarjen e parlamentit nëse nuk formohet qeveria e re deri të enjten, që është afati i fundit bazuar në ligjin e ndryshuar për Presidentin.
Kabinetit të Abazoviçit iu votua mosbesimi shtatë muaj më parë. Shumë përpjekje për të zgjedhur një kabinet të ri kanë dështuar.
Sipas Kushtetutës, Kuvendi shpërndahet nëse nuk zgjedh qeverinë brenda tre muajve nga momenti kur presidenti propozon për herë të parë mandatin.
Të enjten bëhen tre muaj që kur janë publikuar në fletoren Zyrtare ndryshimet në Ligjin për Presidentin. Për mandatin e kabientit te ri u propozua lideri i Demos Miodrag Lekiç, por ai bëri të ditur se nuk e ka shumicën.
Analistet thonë se zgjedhjet presidenciale që mbahen më 19 mars, ku kandidati dominant mbetet kreu aktual i shtetit Milo Gjukanoviç, janë test për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.