Fund tragjik për tre të zhdukurit nga Kosova/ Gjenden pa jetë në një makinë të përmbysur pranë Bllacës

Ka marrë fund në mënyrë tragjike kërkimi për tre personat nga Kosova, të cilët ishin raportuar të zhdukur pasi ishin nisur nga Aeroporti i Shkupit drejt Kosovës. Ata janë gjetur pa shenja jete brenda një automjeti të përmbysur në rrugën nga pikëkalimi kufitar Bllacë drejt Shkupit.
Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut bëri të ditur se mbrëmjen e 19 korrikut, rreth orës 22:35, policia u njoftua për një automjet të tipit "Mercedes" me targa gjermane që kishte dalë nga rruga dhe ishte përmbysur.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë ekipet policore dhe ato të urgjencës, të cilat konstatuan se në automjet ndodheshin tre persona pa shenja jete – një mashkull dhe dy femra. Vdekja e tyre u konfirmua nga ekipi i Ndihmës së Shpejtë.
Sipas MPB-së, më herët gjatë së njëjtës ditë një shtetas i Kosovës kishte raportuar zhdukjen e tyre në Stacionin Policor Bit Pazar. Kontakti i fundit me tre personat ishte regjistruar më 18 korrik, rreth orës 22:15, kur ata ndodheshin në Aeroportin e Shkupit, prej nga ishin nisur drejt Kosovës.
Zbulimi i automjetit i dha fund me dhimbje shpresave të familjarëve, të cilët kishin kërkuar ndihmë publike për gjetjen e tyre.
Autoritetet maqedonase nuk kanë bërë ende publik identitetin e viktimave, ndërsa hetimet vijojnë për të sqaruar rrethanat e aksidentit fatal.


