Bullgaria "lëshon pe" për negociatat/ Kushtet për Maqedoninë e Veriut mund t'i vendosim në kapitullin e parë

Bullgaria mund të heqë veton për negociatat me Maqedoninë e Veriut, si rrjedhojë, edhe me Shqipërinë, prej trysnisë së fortë n ga Bashkimi Europian.
Konflikti mes dy vendeve ka të bëjë me cilësimin e maqedonishte si gjuhë, që sipas Sofjes është dialekt i bullgarishtes, me refuzimin e minoritetit maqedonas në Bullgari dhe me të drejtat e minoritetit bullgar në Maqedoninë e Veriut.
Deri tani Bullgaria ka kërkuar adresimin e tyre për t'i çelur dritën negociatave, por zv.Presidentja bullgare Iliana Iotova mendon se kushtet që pengojnë edhe aspiratën europiane të Shqipërisë mund t'i vihen Shkupit për t'i realizuar gjatë bisedimeve për anëtarësimin.
"Çështja është, a do i vendosim dot këto kushte që në kapitullin e parë, apo do i zgjatim si vija të kuqe përgjatë gjithë procesit të negociatave, ose do i paraqitim përfundimisht në një kapitull të veçantë të 36-të. Në varësi të kushteve do të varet edhe pozicioni bullgar," u shpreh Iotova në një intervistë për Radion Kombëtare Bullgare.
Perspektiva e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor do të trajtohet posaçërisht në samitin që do të organizohet në Slloveni më 6 tetor.
Samitit do i paraprijë një darkë informale mes krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së.
Një darkë e tillë paraprake u mbajt këtë javë edhe në Nju-Jork mes liderëve të vendeve aspirante dhe shefit të politikës së jashtme europiane, Xhozep Borel.



