BE kërkon ndaljen e su*meve ndaj mediave në Kosovë: Zyrtarët publikë të respektojnë gazetarët

BE kërkon ndaljen e su*meve ndaj mediave në Kosovë: Zyrtarët

Bashkimi Evropian ka kërkuar që të ndalen sulmet ndaj mediave dhe gazetarëve, duke theksuar rëndësinë e krijimit të një ambienti të sigurt për punën e tyre.

Shefi i Sektorit Politik të BE-së në Kosovë, Boguslaw Gertruda, gjatë lansimit të raportit të Platformës për Mbrojtjen e Gazetarisë dhe Sigurinë e Gazetarëve të Këshillit të Evropës, ka bërë thirrje që zyrtarët publikë të përmbahen nga sulmet ndaj medieve.

“Zyrtarët publikë duhet të përmbahen nga sulmet ndaj medias dhe gazetarëve”, ka deklaruar Gertruda, duke nënvizuar se liria e medias është një element i domosdoshëm për një shoqëri demokratike.

Ai ka kërkuar gjithashtu konsultime më të gjera gjatë hartimit të ligjeve të reja që lidhen me Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM) dhe Radio Televizionin e Kosovës (RTK).

“Duhet të ketë konsultime të gjera për ligjet e reja që lidhen me KPM-në dhe RTK-në, në mënyrë që proceset të jenë gjithëpërfshirëse dhe transparente”, ka thënë ai.

Sipas përfaqësuesit të BE-së, transparenca mbi pronësinë e mediave është një tjetër çështje e rëndësishme për forcimin e besimit të publikut dhe garantimin e një ekosistemi të shëndetshëm mediatik.

“Transparenca më e madhe e pronësisë së mediave është thelbësore për një ekosistem të shëndetshëm mediatik”, është shprehur Gertruda.

Bashkimi Evropian e konsideron mbrojtjen e gazetarëve, lirinë e shprehjes dhe qasjen në informim si pjesë të standardeve kryesore demokratike dhe një element të rëndësishëm në procesin e integrimit evropian të Kosovës.

EMISIONET