Alarmi për rikthimin e Radoiçiçit, Veliu: Kosova mund të jetë viktima e Rusisë për trazira në Evropë, pas Ukrainës

Deklarata e fortë e së shtunës e Kryeministrit Albin Kurti, i cili tha se grupi i Milan Radojiçiçit është duke u riorganizuar për sulme të radhës në Kosovë ka shkaktuar përplasje në distancë mes Prishtinës dhe Beogradit.

Për politologun Lulzim Veliu, alarmi i kryeministrit Kurti lidhet me faktin se serbët gjithmonë janë të shtyrë dhe kanë një presion nga Rusia që përveç luftës në Ukrainë dhe në përfundim të saj të ketë trazira në Evropë, dhe sipas tij, nuk kanë vend më të përshtatshëm se Ballkani për një vatër trazirash në Evropë.

Në këtë kontekst, në analizën e tij në studion e lajmeve në “Ora News”, Veliu u shpreh se pikërisht, është Kosova që mund të jetë viktimë e një gjëje të tillë të stimuluar dhe investuar direkt nga presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.

“Duke pasur parasysh të gjitha zhvillimet e fundit e zhvilluara në territorin e Republikës së Kosovës të nxitura dhe të ushqyera drejtëpërsëdrejti nga Serbia një gjë e tillë është e pritshme kur kemi përballë presidentin aktual, apo presidentin e rizgjedhur Aleksandër Vuçiç, i cili qëllimin kryesor të tij ka shtyrjen të të gjithë procesit negociues sa më shumë të jetë e mundur. Ai paramendon dhe pret një përfundim të luftës në Ukrainë me një fitore nga Rusia.

Po ashtu ai është në pritje të zgjedhjeve të reja që do të bëhen në Bashkimin Evropian, por edhe në SHBA. Pra, gjithmonë shpresa dhe dëshira e Vuçiçit është që të kemi zgjedhje në Amerikë dhe të rikthehet sërish ish-presidenti Trump në mënyrë që të ketë një mbështetje më të fuqishme ndërkombëtare.

Ai është i vetëdijshëm se me rikthimin e Trump, për të dhe Serbinë negociatat me Kosovën do të jenë shumë herë më të lehta. Paralajmërimet e z. Kurti vijnë nga informacionet e agjencisë inteligjente kosovare, pro edhe nga informacionet e shumë agjencive të vendeve të ndryshme, kryesisht nga ato britanike.

Patjetër që një sinjal Serbisë i është dhënë edhe para disa muajsh kur është bërë dhe ndërrimi i forcave paqësore në vijën kufitare, ku tanimë janë futur forcat britanike dhe aty i është bërë e qartë se nuk do të jetë më ajo që ishte deri tani. Dhe ne pamë shumë mirë në muajin shtator kur dhe ndodhi sulmi në Banjskë, u pa shumë qartë që vija kufitare mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka qenë e ruajtur në nivelin e duhur.

Për këtë arsye kemi shtim të trupave të KFOR-it jo vetëm në atë pjesë të Kosovës, por në të gjitë vendin dhe tashmë jo vetëm me trupa nga Britania, BE apo SHBA, por tani do të kemi trupa edhe nga forcat shqiptare që do t’i bashkohen atij misioni në mënyrë që të ruhet dhe të jetë një territor sa më i sigurtë.

Mirëpo serbët gjithmonë janë të shtyrë dhe kanë një presion nga Rusia që përveç luftës në Ukrainë të kemi trazira në Evropë, dhe nuk kanë vend më të përshtatshëm se Ballkani për një vatër trazirash në Evropë. Dhe pikërisht, është kjo Kosovë që mund të jetë viktimë e një gjëje të tillë.

Për këtë arsye, politika kosovare duhet të jetë e përqëndruar shumë mirë edhe në procesin e negociatave që është duke u shtyrë me dëshirën e Serbisë, por krahas kësaj nuk duhet harruar dhe çështja e sigurisë së vendit.

Sot presidenti serb pati një takim me ambasadorin e Rusisë për të raportuar mbi të gjitha ato çfarë po ndodhin në Serbi, por unë mendoj se ai u takua për të marrë direktivat e reja direkt nga Putini.

Mendoj se reaksioni i opozitës serbe është shumë i drejtë, pasi u pa shumë qartë se pati vjedhje dhe keqmenaxhim të të gjithë procesit zgjedhor, gjë që u dëshmua dhe denoncua nga vëzhguesit ndërkombëtarë.

Por në këtë rast, mendoj se Presidenti Vuçiç është i ledhatuari i Evropës. BE dhe ndërkombëtarët në tërësi kanë krijuar një bindje në opinion se në Serbi nuk ka asnjë forcë tjetër progresiste apo properëndimore se sa vetë Vuçiçi. Opozita në Serbi nuk ka asnjë forcë politike që është deklaruar hapur se është pro BE-së, dhe kjo është më e frikshme. Serbia ka qenë gjithmonë destabilizuese e rajonit, ajo zhvilloi 4 luftra në Ballkan, edhe pas luftës së NATO-s ajo vazhdon me avazin e vjetër, atë millosheviçian, por me aktor tjetër tani”, u shpreh ndër të tjera z. Lulzim Veliu.

albin kurti lulzim veliu

EMISIONET