Prokuroria nis hetimet për vetëvrasjen e pacientëve me Covid në spitalin 'Shefqet Ndroqi'
Një ditë pas vetëvrasjes së 65-vjeçarit të prekur me koronavirus nga spitali ‘Shefqet Ndroqi’ prokuroria ka nisur hetimet, ku në fokus do të jenë kushtet që po trajtohen të sëmurët. Familjarët e të prekurve me covid 19 shprehen të shqetësuar për të afërmit e tyre, ndërsa shprehen se i inkurajojnë herë pas here të mos marrin akte të tilla, ndërkohë mjekja e spitalit refuzon të përgjigjet për masat e marra për të parandaluar vetëvrasjet.
Pas vetëvrasjes së 65-vjeçarit nga ambientet e spitalit ‘Shefqet Ndroqi’, prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për mjekim nga pakujdesia dhe shkaktim i vetëvrasjes.
Për rastin konkret janë përcaktuar dy prokurorë të cilët do të verifikojnë kushtet që po trajtohen të sëmurët, kartelat e tyre dhe deklarimet e mjekëve përgjegjës apo familjarëve të tyre. Në fokus të hetimeve më të thelluara do të jetë dhe rasti i vetëvrasjes së 29-vjecarit e ndodhur 2 javë më parë në po të njëjtin spital.
Një ditë pas ngjarjes familjarët e pacientëve që po kurohen pranë spitalit COVID 2 shprehen të shqetësuar për trajtimin e familjarëve dhe shqetësimeve psikologjike që ata paraqesin.
Këtë të enjte një mjeke e spitalit, në një deklaratë për mediat tregoi trajtimin që pacienti po merrte në këtë spital por refuzoi të përgjigjet për masat e marra për parandalimin e këtyre akteve.
Burime nga spitali bëjnë me dije se është shqyrtuar mundësia për të vendosur kangjella tek dritaret e të sëmurëve për t’i parandaluar vetëvrasjen.
Në një kohë që pothuajse kemi çdo ditë shtim të rasteve të të prekurve, koronavirusi nuk i ka trembur studentët e mjekësisë, të cilët kanë vijuar të bëjnë praktikën mësimore në këtë spital.
Me gjithë situatën e renduar të të prekurve me Covid-19, ka dhe lajme të mira, siç është rasti i një zonje nga Pogradeci, e cila pas trajtimit 2 javor lë ambientet e spitalit.
Deri më tani në spitale vijojnë të kurohen 185 pacientë, ndërsa në 24 orët e fundit u regjistruan 6 humbje jete të qytetarëve, si dhe 122 raste të reja.
Ditën e djeshme (2 shtator), një 65 vjeçar, i shtruar në spitalin universitar Shefqet Ndroqi, humbi jetën pasi u hodh nga kati i katërt, i ndërtesës.
Ndërkohë, më 13 gusht, një 29 vjeçar po me Covid-19, ndërroi jetë pasi u vetëhodh nga kati i tretë i spitalit.
