Zgjedhjet në rrezik/ KSHH inspekton Elbasanin: Probleme me listat, qytetarët s'dinë të votojnë elektronikisht
Kur na ndajnë vetëm 3 javë nga zgjedhjet lokale, Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka evidentuar edhe problematikat e para. Publikimi i listave të zgjedhësve dhe edukimi për votimin elektronik janë dy nga problematikat më të mëdha deri më tani sipas kësaj organizate që monitoron proceset demokratike në vendin tonë.
Tre javë nga mbajtja e zgjedhjeve lokale ne Shqiperi, Komiteti Shqiptar i Helsinkit konstaton disa problematika në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Avokati Erdion Maçolli pohon se në disa qendra votimi nuk janë publikuar listat zgjedhore, duke privuar qytetarët të marrin informacionin se ku janë votues.
Ndërsa në disa qendra, listat e afishuara janë dëmtuar e për pasojë qytetarët e kanë të pamundur të identifikojnë emrat.
Erdion Macolli, Avokat (Komiteti Shqiptar i Helsinkit): “Ato lidhen kryesisht me publikimin e listave zgjedhore, ku në disa qendra listat zgjedhore nuk janë publikuar. Në këtë mënyrë zgjedhësit privohen për të marrë informacionin se ku ata janë votues, dhe në këtë mënyrë ata rrezikojnë të ushtrojnë në mënyrë aktive të drejtën e tyre për të votuar”.
Më me shqetësim, avokati i Komitetit Shqiptar të Helsinkit, flet për votimin elektronik, ku numri i qytetarëve që po marrim informacion për mënyrën e të votuarit është shumë i ulët.
Në Elbasan janë instaluar vetëm tre qendra demostrimi për votimin elektronik në zonën urbane, ndonëse elektronikisht do të votojnë edhe banorët nga zonat rurale.
Erdion Macolli, Avokat (Komiteti Shqiptar i Helsinkit): “Numri i qttetarëve të cilët po ju aksesoren këto shërbime dhe po informohen mbi mënyrën dhe mbi modalitetet e votimit elektronik është shumë i ulët. Ne ngrejmë shqetësimin se duhet të ketë një investim më të madh nga institucionet. Përkatësisht nga KQZ, për të edukuar në mënyrën e duhur zgjedhësit”.
Duke parë se interesi i qytetarëve elbasanas për të mësuar pajisjen elektronike është i ulët, Komiteti Shqiptar i Helsinkit nuk mendon se aktualisht cenohet procesi zgjedhor, por kërkon me ngulm rritjen e investimit në këtë drejtim.