Vota e 14 majit, Sali Berisha paralajmëron mospranimin e rezultatit të zgjedhjeve

Pa kaluar ende 24 orë nga përfundimi i zgjedhjeve vendore, Sali Berisha ka paralajmëruar mospranimin e rezultatit. 

Nga selia e partisë duke iu referuar procesit të numërimit të  votave, ai akuzoi për shitblerje dhe angazhim të botës së krimit.

Berisha: Industria e tmerrshme e blerjes së votës, bota e krimit dhe oligarkisë dhunuan si kurrë në historinë e këtij vendi, votën e shqiptarëve. Janë të panumërta aktet, veprimet, të cilat dëshmojnë se gjatë këtyre muajve, narkoshteti zbatoi programin e asgjësimit të lirisë së votës, të blerjes së saj, terrorizimit të zgjedhësve shqiptarë. Kjo është një ditë e vështirë, një ditë e rëndë për liritë dhe të drejtat e qytetarëve shqiptarë. Është një moment agonie për vlerat demokratike në vend.

Në deklaratë ai apeloi komisionerët të vazhdojnë numërimin ndërsa dënoi një rast dhune.

Berisha: Së fundmi, dënoj me forcë dhunën e përdorur në Kurbin ndaj një komisionari për faktin e vetëm se duan me çdo kusht të diktojnë, të ndryshojnë rezultatin në këtë bashki siç kanë bërë në shumicën e bashkive të vendit.

Shpreh solidaritetin tim me komisionarin Ismail Ismaili dhe të gjithë komisionerët e tjerë që në kushte terrori, po përmbushin detyrimet e tyre.

Deri mesditën e së hënës, koalicioni Bashkë Fitojmë arriti të kryesonte vetëm 6 bashki.

zgjedhjet e 14 majit

EMISIONET