Vijon debati në Strasburg/ Kushi: Turizmi bregdetar, pjesë kryesore e zhvillimit tonë! Koreshi: Skema preferenciale, oligarkë kanë dalë edhe pronarë serash
Deputetja e PS Evis Kushi tha në mbledhjen në takimin e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE -Shqipëri II se turizmi bregdetar është një nga pjesët kryesore të zhvillimit duke shtuar se transformuan mënyrën e menaxhimit të sezonit turistik. Ajo shtoi se synojnë që vendi të jetë ‘drejtuese’ në rajon sa i përket turizmit.
“Reformat që kemi ndërmarrë nuk janë të natyrës teknike, por shprehin dëshirën tonë që Shqipëria të drejtojë me vlerat ekonomik europiane dhe besueshmëri.
Modernizmi i turizmit detar dhe bregdetar, dhe menaxhimin e sezonit turistik. Turizmi bregdetar është një nga pjesët kryesore të zhvillimit tonë, jemi të angazhuar që të jetë i vetë qëndrueshëm dhe i përfaruar me standardet e BE.
Ne kemi futur certifikimin dixhital sa i përket operatorëve turistik detar, përmes e-Albania. Nga maji 2025, 192 operatorë janë certifikuar që të punojnë brenda këtij sistemi dhe kjo nuk është shifër e thjeshtë është shenjë që Shqipëria është e gatshme për të qenë drejtuese në rajon sa i përket turizmit të rregulluar dhe të pastër.
Po kufizojmë privatizimin dhe po u mundësojmë bashkive që të investojnë në infrastrukturë. Është model i ekuilibruar që nxit zhvillimet privat duke mbrojtur të drejtën e qytetarëve.
E kemi transformuar mënyrën e menaxhimit të sezonit turistik, nuk i takon vetëm tregut, por i takon qeverisjes qendrore.
Krijimi i një task force nga ministria e turizmit tregon angazhimit tonë për t’iu përgjigjur krizave dhe për t'u koordinuar nga pikëpamja institucionale”, tha Kushi.
Korreshi: Evropa është afër, por është harruar ‘stacioni’ i bujqësisë!

Deputeti Saimir Korreshi tha në takimin e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri II se sektori i bujqësisë është lënë në harresë.
Sipas tij, edhe ato skema që janë bërë kanë qenë preferenciale, duke shtuar se ka pasur oligarkë që kanë dalë edhe pronarë serash.
“Politikat e qeverisë, edhe pse 40% e krahut të punës të Shqipërisë merret me bujqësi, nga qeveria nuk është bërë asgjë. Edhe ato pak lekë që sillte Evropa për këtë kategori, janë bllokuar IPARD 2 dhe 3, për shkak të nxitimit të pushtetarëve për t’i vjedhur.
Janë parë skemat preferenciale që janë bërë, të oligarkëve që kanë dale edhe pronarë serash, pasi në kërkesat për të marrë këto subvencione për fermerët shqiptarë që janë në regjim familjar ose të vogla, është e pamundur.
E njëjta gjë ndodh edhe për blektorinë. Vetëm në Shqipëri ndodh që gjithë fshati edhe pse gjithë kohës ka pasur kafshë, tashmë blen qumështin në qytet. Dikur ndodhte e kundërta.
Ndoshta Evropa duhet të marrë pak vizion edhe nga Shqipëria në këtë pikë. Plehrat kimikë hyjnë në Shqipëri dhe janë të pakontrolluara.
Nëse keni ndërmend të hapni grupkapitujt, të shikoni kryesoret si bujqësia se është një vagon që e keni shkëputur prej kohësh, nuk e keni marrë me vete por duhet gjithashtu. Sa i përket vaditjes është akoma si në mesjetë.”, u shpreh Korreshi.



